Të drejtat e njeriut, Borchardt: Shqipëria ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ “Shqipëria ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Kështu u shpreh kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt gjatë fjalës së mbajtur sot në hapje të një trajnimi treditor për monitorimin dhe raportimin e të drejtave të njeriut, ku ishte i pranishëm edhe Koordinatori Rezident i Kombeve të Bashkuara, Brian J. Williams.

Në takimin e zhvilluar morën pjesë përfaqësues nga tri institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe nga institucione qeveritare.

“Shqipëria ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çka është më e rëndësishme, ajo ka ngritur një sistem të plotë ligjor dhe institucional, i cili është në gjendje të përmbushë standardet dhe detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sidoqoftë, ende kemi rrugë për të bërë dhe pjesa më e rëndësishme e kësaj rruge është zbatimi në praktikë i të drejtave të njeriut. Si do ta arrijmë këtë? Monitorimi dhe raportimi janë guri i themelit i zbatimit praktik. Ju të gjithë jepni ndihmën tuaj që Shqipëria të bëhet një demokraci më e drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më e mirë”, -tha Borchardt. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.