Reshjet intensive/ Koka: Nuk ka akse rrugore të bllokuara

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ – Situata e reshjeve të dendura të ditës së sotme nuk ka sjellë bllokimin e akseve rrugore. Erion Koka, drejtor i Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i ftuar në një studio televizive, foli për situatën e akseve rrugore pas reshjeve të rrëmbyera të orëve të fundit në vend.

“Për gjithë problemet që ka pasur, ne kemi marrë masat që i kemi të përhershme. Kontraktorët tanë, firmat që kryejnë punimet në rrugë marrin masa me mjete dhe forca të shtuara për t’u gjendur në pikat problematike. Pjesën e reshjeve ne nuk e kontrollojmë dot, ajo dihet, kështu që kemi qenë gjithmonë të përgatitur për këtë punë. Monitorojmë akset rrugore 24 orë dhe gjatë gjithë kohës marrim të dhëna mbi problematikat e mundshme që kemi në rrugë”, – thotë Koka.

Sa i përket bllokimit të akseve rrugore, Koka thotë se, “akse rrugore nuk ka të bllokuara. Kjo është kryesore dhe qëllimi ynë kryesor ky është. E rëndësishme është mënyra dhe shpejtësia e reagimit që kemi në rrugë për të krijuar lehtësi në qarkullim për automjetet. Rrëshkitje gurësh kemi pasur në disa akse por menjëherë janë marrë masa dhe nuk ka pasur probleme të bllokimit të rrugëve”.

I pyetur për urat në vend ai thotë se “problemi qëndron tek urat që janë të vjetra dhe nuk kanë pasur mirëmbajtjet që duhen. “Pas tërmetit të fundit, ne bëmë një inspektim të urave dhe nuk rezultoi të kishte probleme”, tha ai. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.