Shkodër/ Shtëpi-familje për të rinjtë pa kujdes prindëror, Sufali: Aftësim edhe për tregun e punës

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ – Prej një viti, për të garantuar që çdo i ri pa kujdes prindëror, të ketë një strehë dhe shërbimet e nevojshme sociale, është ngritur në qytetin e Shkodrës “shtëpia familje për fëmijët 16-18 vjeç”, në të cilën ofrohet akomodimi, edukimi dhe zhvillimi i aftësive të të rinjve të kësaj moshe.

Në një intervistë për ERTV, Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Social, Luneda Sufali, prezantoi nga afër ambientet e kësaj shtëpie duke shpjeguar shërbimet që ofrohen aty.

“Shtëpia funksionon si një familje e madhe. Të rinjtë pa kujdes prindëror, që kanë kaluar nëpër institucione të ndryshme si shtëpia e fëmijës 0 deri në 6 vjeç, kur mbushin moshën 16 vjeç, akomodohen në këtë qendër që ka në fokus socializimin, fuqizimin e tyre. Të rinjtë mund të ndjekin edhe kurse të gjuhëve të huaja brenda qendrës, marrin pjesë në aktivitete kulturore dhe sociale, por edhe pajisen me aftësi për jetën, si të kujdesen për veten, si të gatuajnë, marrin gjithashtu kurse të ndryshme profesione. Pra ata zhvillojnë një jetesë normale si të ishin në një familje biologjike”, tha Sufali.

Sufali theksoi se qëllimi kryesor i punës në shtëpinë familje është përgatitja e të rinjve për të zhvilluar një jetesë të pavarur pas moshës 18 vjeç, kur sipas legjislacionit lënë shtëpinë.

“Në këtë shtëpi, çdo i ri udhëhiqet nga një lider rinor, e jo sipas konceptit të kujdestarit. Lideri rinor ka si detyrë të kujdeset dhe të monitorojë një të ri të shtëpisë, ai njeh personalitetin e tij, dhe mbikëqyr jetesën e tij brenda shtëpisë dhe jashtë saj te aspekti i edukimit”, tha Drejtorja e Shërbimit Social Shtetëror.

Sufali prezantoi në ERTV edhe një prej të rinjve të shtëpisë familje, që pasi mbushi 18 vjeç, ka arritur të integrohet në shoqëri si një individ që bën jetën e tij në mënyrë të pavarurur.

Me ndihmën e strukturave të shërbimit social shtetëror Shkodër, Denisi ka arritur të sigurojë një vend pune pranë një sipërmarrjeje në fushën e turizmit pranë Kepit të Rodonit, ku i është siguruar gjithashtu edhe strehimi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.