Modernizimi i Urgjencës Kombëtare/ 330 misione jetëshpëtuese çdo ditë

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/- Në Qendrën e Urgjencës Kombëtare kemi 1130 thirrje për ndihmë çdo ditë dhe 330 misione jetëshpëtuese që kryhen në të gjithë territorin.

Kështu deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në aktivitetin për modernizimin e Urgjencës Kombëtare në spitalin e Traumës në Tiranë.

“Koha e mbërritjes së autoambulancës është ulur ndjeshëm dhe qytetarët e marrin shërbimin e ndihmës së parë më shpejtë dhe më me profesionalizëm. Sot koha mesatare e mbërritjes së urgjencave ne vendngjarje është 15 minuta mesatarisht në zonat urbane dhe 20 minuta në zonat rurale”, nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, sot dëshmitarët më të mirë të këtij transformimi dhe modernizimi që ka pasur ky shërbim nuk jemi ne, janë ata qindra mijëra qytetarë që e marrin atë pasi i bien numrit unik 127 apo 112.

“Dy vjet më parë i thamë qytetarëve se në fund të mandatit të dytë qeverisës do të ulim kohën e mbërritjes në vendngjarje të autoambulancave deri në mes të mandatit kemi bërë jo pak në përmbushje të këtij angazhimi”-, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se “37 autoambulanca të reja, të pajisura me aparatura jetëshpëtuese janë shtuar flotës tonë, 100 sete të ndihmës së parë janë vënë në shërbim të autoambulanca në spitale, nga setet e traumës, intubimit, të medikamenteve dhe mjekimit”.

Plotësuam më tej, vijoi Manastirliu, nevojat për mjekë dhe infermierë në ekipet e urgjencës paraspitalore, shtrimë në të gjithë territorin numrin unik të thirrjeve të urgjencës 127 , 122 sot po hedhim një hap tjetër në përmbushjen e premtimit që u kemi bërë qytetarëve.

“Me këto pajisje të reja ne fuqizojmë më tepër shërbimin e urgjencës mjekësore, me pajisje jetëshpëtuese , duke nisur nga defibrilatorët, pajisjet e transportit të pacientëve, bombulat e oksigjenit, të cilat do të shpërndahen në njësitë e shpëtimit në zonat më të largëta të vendit. Statistikat që regjistrohen në sistemin tonë të modernizuar të urgjencës janë përgjigja më e mirë ndaj cilitdo me dashje apo dashje, por gjithnjë e më shumë pa të drejtë përpiqet të baltosë këtë shërbim”-, tha ministrja.

Statistikat, shtoi ajo, tregojnë se në një vit kemi zero thirrje të humbura nga njësia e koordinimit të Shërbimit të Urgjencës Kombëtare prej ditës kur numri unik pret çdo thirrje nga çdo cep i Shqipërisë.

“Rezultati është që sot, Urgjenca Kombëtare paraspitalore ndryshon si nata me ditën, në krahasim me sistemin që gjetëm e që sot, e kam të vështirë t’i vë dhe një emër. Thënë të gjitha këto, a kemi bërë gjithçka që kemi premtuar dhe a jemi atje ku e kemi pikësynimin tonë? Sigurisht që jo. A kemi ende sfida me të cilat përballemi dhe që na duhet t’i kapërcejmë. Fjala vjen, unë pres që të gjithë së bashku të shtojmë përpjekjet për të përmirësuar kohën e mbërritjes së urgjencës në Dibër, Shkodër dhe Kukës”-, nënvizoi Manastirliu.

Duke folur për investimet në shëndetësi, Manastirliu tha se “po investohet si asnjëherë në ndërtimin e 7 spitaleve, nga Tirana, në Kukës, Durrës, Berat e Lezhë. Po rindërtojmë 300 Qendra Shëndetësore, nga të cilat 80 kanë përfunduar dhe 100 përfundojnë gjatë këtij viti.
Po mbulojmë 5 herë më shumë terapitë për sëmundjet tumorale. Po mbulojmë 80% urgjencën kardiake, duke ulur shpenzimet nga xhepi për qytetarët. Po i shërbejmë çdo ditë 35 mijë qytetarëve, me vizita dhe konsulta që kryhen falas nga mjekët e familjes”.

“Faktet tregojnë që çdo ditë, 249 ndërhyrje kryhen me instrumenta kirurgjikale të sterilizuara. Çdo ditë, 1881 kontrolle bazë mjekësore kryhen falas për qytetarët. Çdo ditë, 5624 teste laboratorike dhe 2800 ekzaminime imazherike, kryhen në spitale e qendra shëndetësore”-, tha Manastirliu. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.