Hysi: Bundestagu gjerman dhe kancelarja Merkel, mbështetje Shqipërisë në rrugën drejt BE

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Zv.kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi ka vlerësuar mbështetjen e Bundestagut gjerman dhe të kancelares Merkel në rrugën e Shqipërisë drejt BE.

Hysi priti dje një delegacion të Bundestagut gjerman, i cili përbëhej nga Marianne Schieder, deputete e Bundestagut gjerman, Ingeborg Gerstberger, Këshilltare Ministrore si dhe një përfaqësues i Universitetit të Lirë të Berlinit.

Hysi i uroi mirëseardhjen parlamentarëve nga Bundestagu gjerman, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut gjerman.

Zv.kryetarja e Kuvendit u shpreh se edhe pse kjo vizitë vjen në një moment të trazuar, në kuadër të zhvillimeve të fundit për hapjen e negociatave, ne vlerësojmë kontributin e Bundestagut gjerman dhe të Merkel duke theksuar se, do të vazhdojmë rrugën tonë drejt BE-së.

Në këtë kontekst, Hysi i informoi të pranishmit mbi reformat e ndërmarra nga Kuvendi në lidhje me Reformën në Drejtësi, si një model për të gjithë rajonin dhe ecurinë e reformës zgjedhore.

Gerstberger, duke falënderuar Hysin për mikpritjen, e informoi atë mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve aplikues për Bursën Parlamentare Ndërkombëtare 2020 dhe rëndësinë që ka përfshirja e të rinjve në këto programe shkëmbimi.

Pala gjermane e informoi Hysin se janë të interesuar të tërheqin të rinj në fusha si: shkencat agrare, inxhinieri, histori-arkeologji dhe linguistikë.

Hysi theksoi nevojën e shkëmbimit të përvojave të stafit të Kuvendit të Shqipërisë pranë Bundestagut në Gjermani, për t’u njohur me praktikat dhe modelet më të mira të punës mes deputetëve dhe stafit.

Në përfundim, Hysi shprehu besimin se bashkëpunimi shumë i mirë mes dy parlamenteve do të zgjerohet edhe me shkëmbimin e eksperiencave të deputetëve të Kuvendit dhe stafit për t’u njohur me praktikën e punës së deputetëve dhe stafit të Budestagut gjerman.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.