Cakaj: Asnjëherë nuk e kam mbështetur ndarjen e Kosovës

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Gent Cakaj, Ministër në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë një interviste ekskluzive në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, ka folur për të parën herë për akuzat që i janë bërë për përkrahjen e ideve të ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Cakaj ka treguar se çfarë e ka shtyrë të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte vite më parë.

“Janë tri arsye”, ka treguar Cakaj fillimisht. “Kam pasur interpretim krejt tjetër për Marrëveshjen e Rambujesë. Kam pasur mendim alternativ për Pakon e Ahtisaarit dhe s’e kam interpretuar pavarësinë e Kosovës siç e ka interpretuar Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh diplomati shqiptar.

E megjithatë, Cakaj e ka cilësuar partinë e Albin Kurtit si “pjesë e rëndësishme të angazhimit tim politik”.

Më tej, ministri në detyrë Cakaj ka mohuar se ka mbështetur idenë e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, ashtu siç e kishte akuzuar Vetëvendosja.

“Është tërësisht e pavërtetë dhe deklarata e VV është e pasaktë. Është e dalë jashtë kontekstit. Asnjëherë nuk e kam mbështetur ndarjen e Kosovës. Kam tri deklarime ku flas kundër ndryshimit të kufijve”, ka thënë Cakaj.

Për idenë e shkëmbimit të kufijve, Cakaj ka dhënë qëndrimin e tij, duke e cilësuar problemin rajonal. “Në rast se është precedent duhet theksuar që së pari, është në shpërputhje me frymën e të gjitha të arriturave në Ballkanin Perëndimor deri tash në përgjithësi dhe politikisht nëse duhet ta parashtrojmë këtë problem sikur shqiptar është totalisht i pakonvenueshëm për shqiptarët”, tha ai.

“Ndryshimet e kufijve në rajon duhet të përjashtohen kategorikisht dhe të menaxhohen kujdesshëm, sepse janë në shpërputhje me frymën e kooperimit në Ballkanin Perëndimor, me agjendën evropiane dhe me vizionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Cakaj.

“Shfrytëzoj rastin po ashtu për t’u bërë kritik me idenë e korrigjimit të kufijve në një komponent të veçantë, për shkak se duhet ta kemi parasysh që ka shtete si Rumania, që për shkak të dinamikave të hungarezëve në rajonin e Transilvanisë, mund të mos e njohin një marrëveshje të tillë. Duhet të kemi absolutisht vëmendje maksimale se si do të manifestohet në Bashkimin Europian dhe në vende të tjera”, ka theksuar Cakaj.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.