https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/2147218288916371/
TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Falë shërbimit të shëndetësisë elektronike, sot është e mundur të bësh rezervimin online, pranë mjekut specialist, për të kryer koronarografinë falas. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Ajo shprehet se, “tashmë kohët e pritjes janë optimale. Dy deri në tre javë për procedurat e koronarografive, duke përfshirë këtu dhe sistemin elektronik të planifikimit dhe kjo thjeshton edhe veprimet që çojnë në kohë të reduktuar të pritjes sa i përket këtyre procedurave që janë jetëshpëtuese”.
Me këtë sistem të ri dhe me zgjerimin e shërbimit afër vendbanimit në 4 qendrat e hemodinamikës, 5900 pacientë kanë përfituar paketat e kardiologjisë pa pagesë në spitalet publike dhe jo publike, vetëm në 9 muajt e këtij viti.
Ndërkohë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, vetëm në 9 muajt e parë 1069 pacientë kanë përfituar falas nga paketa e koronarografisë.
“Me investimet që po realizojmë në këtë spital, shumë shpejt do të presim dhe urgjencën kardiake, pasi jemi duke investuar për shërbimin e reanimation kardiak dhe gjithashtu do të hapim brenda 3 muajve të parë të vitit që vjen, shërbimin e kardiokirurgjisë, një shërbim i cili do të plotësojë të gjitha nevojat dhe do të reduktojë listat e pritjes”, – u shpreh ministrja Manastrliu. /j.p/