Vijon puna e mirëmbajtjes së rrugëve në kryeqytet

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ – Bashkia e Tiranës punon edhe gjatë orëve të natës për përmirësimin e infrastrukturës kryeqytetase. Ekipet e saj punojnë mbrëmjeve të vona, kur qarkullimi në rrugë është më i lirë për të asfaltuar rrugët e dëmtuara apo ato që kanë nevojë për ndërhyrje edhe më të thellë.

Një prej rrugëve ku ka ndërhyrë më së fundmi Bashkia e kryeqytetit është edhe ajo “Halit Bega”, e cila po shtrohet tërësisht pasi ishte mjaft e amortizuar.

“Kolegët kanë punuar natën për asfaltimin e rrugës “Halit Bega””, shprehet Bashkia Tiranë.

Ndërkohë, një tjetër aks rrugor mjaft i rëndësishëm si ai “Dritan Hoxha” në Laprakë është asfaltuar po duke shfrytëzuar orët e vona të natës, kur nuk ka lëvizje në rrugë.

“Vazhdon puna me ritme të njëjta për mirëmbajtjen e rrugëve në kryeqytet! Ekipi është kujdesur për asfaltimin e rrugës “Dritan Hoxha”, në Laprakë”, shprehet kjo Bashki. /a.sh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.