Hajdari: Kuvendi të marrë masa sigurie, ka ikur koha e shantazhit

TIRANË, 28 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e grupit parlamentar të opozitës, Rudina Hajdari i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të marrë masa për sa i përket sigurisë së deputetit, pasi, sipas saj, ndihet e kërcënuar.

“I kam kërkuar Kuvendit të marrë masa sigurie. Nuk mund të ndodhë sot në 2019 që deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet”, tha ajo.

Po ashtu, Hajdari shtoi ka pasur raste në zyrën e saj kur persona kanë ardhur dhe e kanë kërcënuar. Nuk mundet që kjo të ndodhë më. Ka ikur ajo kohë. Ju lutem zoti kryetar merrni masat para se të kemi një viktimë këtu në parlament. Ju kërkoj edhe njëherë se siç janë këtu masat përpara Kuvendit të Shqipërisë, të kemi të njëjtat masa në Kryesinë e Kuvendit. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar mirë. Asnjë deputet nuk mund të marrë njerëz të tjerë dhe të shantazhojë deputetët. Duhet të jemi seriozë”.

Kryetari i Kuvendit, Gamor Ruçi replikoi duke thënë se problemet brenda grupit duhet t’i zgjidhin sipas rregullave. “Problemet që keni brenda grupit zgjidhni sipas rregullores së Kuvendit”, shtoi ai.

Për sa i përket kërkesës për siguri në Kuvend, Ruçi tha se e ka marrë shkresën dhe u ka kërkuar punonjësve të shërbimit se brenda sallës së Kuvendit dhe godinës së Kryesisë së Parlamenti punonjësit e shërbimit të bëjnë detyrën e tyre sipas ligjeve. Dhe nga ana tjetër në mënyrë të posaçme shkresën ia ka dorëzuar Ministrisë së Brendshme. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.