JAPONI – Rënie e eksporteve për të 10-in muaj radhazi

TOKIO, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Vlera e eksporteve në Japoni ra me 5,2% nga viti në vit, në 6,37 trilionë jen (58,7 miliardë dollarë) në shtator, për të 10-in muaj radhazi, deklaroi sot qeveria.

”Importet e Japonisë zbritën me 1,5% në 6,49 trilionë jen, duke arritur në një deficit tregtar prej 123 miliardë jen”, deklaroi Ministria japoneze e Financave në një raport paraprak.

”Eksportet në Kinë, partneri më i madh tregtar i Japonisë, ranë me 6,7% nga një vit më parë, në 1,18 trilion jen, ndërsa importet u ulën me 8,5% në 1,4 trilion jen”, theksoi ministria.

Eksportet në SHBA ranë me 7,9% në 1,19 trilion jen, ndërsa importet ranë me 11,6% në 623,3 miliardë jen.

Në fillim të muajit tetor, SHBA-ja dhe Japonia nënshkruan zyrtarisht një marrëveshje dypalëshe tregtare, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte ankuar në mënyrë të vazhdueshme për suficitin tregtar të Japonisë me vendin e tij.

Uashingtoni nënshkroi marrëveshje me Tokion gjatë ”luftës” tregtare me Pekinin.

Pakti përfshin rritjen e aksesit në tregjet japoneze për prodhuesit bujqësorë amerikanë./ /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.