Minishengeni ballkanik nismë gjithëpërfshirëse, Kosova e ftuar në çdo format

TIRANË, 18 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama rikonfirmoi sot se “nisma për Minishengenin ballkanik nuk është ekskluzive dhe nuk mund të jetë e tillë, por është gjithëpërfshirëse pa asnjë diskutim”.

I pyetur se kur do të ulet në tavolinë Kosova për të diskutuar mbi çështjen e “minishengenit ballkanik”, Rama tha se “kjo do të varet nga qeveria në Kosovë, se kur do të krijohet qeveria”.

“Takimi i radhës është në 10 nëntor në Ohër. Nuk e di nëse do të krijohet dot qeveria, por në prononcimin e tij Albini e ka thënë shumë qartë se shpresoj të jetë në të gjitha ato formate. Kosova është jo thjesht e mirëpritur, por e ftuar”.

Rama sqaroi se “në takimin e Novi Sadit nuk është firmosur asnjë marrëveshje, por është bërë një deklaratë e përbashkët dhe është dakordësuar bazuar në 4 liritë e lëvizjes në BE; liria e lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve, për të pasur këto 4 liri në këtë zonë të rajonit tonë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.