Presidenca: Komisioni i Venecias vërtetoi se Meta nuk e ka shkelur Kushtetutën

TIRANË, 11 tetor/ATSH- A. Fortuzi/ Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, gjatë një deklarate për mediet, tha se Komisioni i Venecias vërtetoi që presidenti nuk e ka shkelur në asnjë moment Kushtetutën, pas komunikatës të publikuar ditën e sotme.

“Sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë: “Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”-,theksoi Blushi.

“Duke këshilluar kështu Kuvendin të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore, siç rekomandojnë ekspertët e Venecias, dhe jo të investohet me të gjithë arsenalin e papagajve për të prodhuar dokumente Tao Tao dhe për të keqinformuar opinionin publik. Gjithashtu ky dokument thotë si më poshtë, citoj: “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate.” Për më tepër, në këtë deklaratë zyrtare të KiE-së, këshillohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, citoj: “të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend”-, tha më tej Blushi.

“Opinioni Final i Komisionit të Venecias së shpejti bëhet publik dhe shqiptarët do e lexojë me sytë e tyre, e zeza mbi të bardhë, të vërtetën që Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka thënë gjithmonë: Zero shkelje të kushtetutës! Zero shkelje të kompetencave kushtetuese! Mbrojtje e shkëlqyer e Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e konventës europiane të të drejtave të njeriut! Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes!”-, theksoi Blushi

“Ju bëj me dije dhe ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se: Komisioni i Venecias vërtetoi sërish se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Komisioni i Venecias gjithashtu ka vlerësuar maksimalisht thirrjet e Presidentit për dialog dhe përpjekjet e tij për arritjen e një kompromisi midis palëve, që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e krizës. Kjo është e vërteta e vetme që në ditët në vazhdim do t’i bëhet e ditur çdo shqiptari!”-, përfundoi deklaratën e tij, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi.

Në përfundim të mbledhjes së sotme, Komisioni i Venecias publikoi një deklaratë për shtyp duke theksuar se “sipas opinionit të miratuar sot, i kërkuar nga kryetari i Parlamentit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa një konsensus politik”.

“Edhe në rastet e emergjencave shtetërore, si lufta apo katastrofat natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një legjislacion ‘ad hoc’ për të shtyrë zgjedhjet’, theksohet në njoftimin e Venecias.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.