Mesi: “Venecia” e tha qartë, Presidenti ka tejkaluar kompetencat

TIRANË, 11 tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Senida Mesi, deputete e Partisë Socialiste të Shqipërisë, të premten në mbrëmje, deklaroi se Komisioni i Venecias ka folur qartë, duke theksuar se Presidenti Ilir Meta me zhdekretimin e datës 30 qershor si datë zgjedhjesh lokale ka tejkaluar kompetencat.

Sipas Mesit, Komisioni i Venecias ka dhënë një përgjigje profesionale duke u nisur nga praktikat më të mira. “Është komentuar shumë ky raport përfundimtar. Ka pak kakofoni, por personalisht e lexoj shumë qartë: Komisioni deklaron se presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij. Nga analiza paraprake dhe nga eksperienca nuk ka ndonjë ndryshim mes raportit paraprak dhe atij përfundimtar”, – theksoi Mesi.

“Sigurisht duhen bërë dy dallime. E para, qeveria shqiptare nuk ka pritur nga Komisioni i Venecias të japë vendim përfundimtar. Së dyti, ne jemi adresuar për një opinion ligjor që pranohet në mbarë botën. Është opinion ligjor dhe profesional në praktikat më të mira. Po ashtu janë analizuar situata të ngjashme kur një president ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur ndërrimin e datës së zgjedhjeve. Më shumë se raporti e thotë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, dhe në fund të ditës kjo kushtetutë prevalon, dhe qartazi ajo sqaron se Presidenti shkarkohet nëse ka shkelur Kushtetutën”, – thekson ish-zv/kryeministrja.

“Kuvendi tashmë duhet të marrë një vendim, dhe ky vendim duhet të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit mund të rrëzojë pretendimet e Kuvendit, ose mund t’i pranojë ato. Atëherë, dhe vetëm atëherë kur dhe Gjykata Kushtetuese pranon shkarkimin e presidentit, atëherë pra bëhet de juro dhe de facto shkarkimi i presidentit”, – sqaroi Mesi.

Duke folur për vendimin e Presidentit, ajo theksoi se vendimin për zhdekretimin e datës 30 qershor të zgjedhjeve lokale la pa një mundësi zgjedhje qytetarët. “Në momentin e anulimit ka vepruar duke në kompetenca që ligji nuk ja njeh. Dekreti i dytë ka qenë në një moment tjetër, pra ai dekretoi zgjedhjet më 30 qershor, më pas zhdekretoi dekretin e tij për datën 30 qershor, duke cenuar mbi të gjithë 18-vjeçarët e Shqipërisë pa të drejtë zgjedhje”, – tha Mesi.

“Tani kemi dy palë që, njëra thotë se e ka shkelur Kushtetutën, dhe pala tjetër mendon se jo. Komisioni deklaron se ka tejkaluar kompetencat, tani ky tejkalim ka prekur apo jo Kushtetutën këtë do e vendosë Gjykata Kushtetuese. Ne ishim në mes të fushatës, me një datë të caktuar të zgjedhjeve dhe kjo datë u zhdekretua, duke lënë qytetarët pa mundësi zgjedhje. Pastaj debati që ishte një parti në zgjedhje dhe ku qytetarët nuk patën mundësi të zgjidhnin mes dy apo më shumë alternativave në shumicën e bashkive, duke i thënë qytetarëve se e doni apo jo këtë kandidat dhe kjo jo për fajin e mazhorancës, por për shkak se opozita nuk ka pranuar të hyjë në zgjedhje, jo se u ndalua nga mazhoranca. Pra është opozita që nuk i dha mundësi elektoratit të saj të zgjidhte”, – nënvizoi më tej Mesi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.