Berat, 21-vjeçarja drejton bujtinën e familjes: Fjala e pamundur për mua nuk ekziston më

TIRANË, 30 shtator/ATSH/- “‘Më quajnë si çelësi i kësaj bujtine”, shprehet 21-vjeçarja Ela Dingo, e cila i ka dhënë mundësi familjes të kenë një biznes, një bujtinë në qytetin e Beratit.

“Babi dhe mami më mbështetën për atë që unë thashë. Duke qenë se babi merret me mobilieri menduam që të ndërtonim edhe njëherë shtëpinë tonë nga e para në mënyrën më të mirë të mundshme. Të hapnim një bujtinë”, tregon Ela për rubrikën “Njerëz të padukshëm”, në ERTV.

Duke treguar ambientet e bujtinës, Ela shprehet se “më përpara ka qenë salloni i shtëpisë sonë, por tani e kemi bërë një tip holli ku të huajt akomodohen. Te bujtina jonë unë merrem me gjithçka, flas me të huajt merrem me pjesën e rezervimeve online. Të gjitha pajisjet kanë qenë që në kohët e mëparshme kur i kemi pasur ne. Tek pjesa mbrapa është një mulli gruri, që e përdorte mami për të bluar grurin, kur unë e vëllai ishim të vegjël”.

“Jemi munduar të mos heqim dritaren e drurit që është karakteristikë e Beratit, në tokë kemi vendosur qilim dhe kemi shtruar parket që është më i ngrohtë”, – thekson ajo.

Kur ndodh që unë nuk jam këtu, thotë Ela, të gjithë vijnë për të më ndihmuar kur ka shumë njerëz, vajzat e lagjes më ndihmojnë për të pastruar, përkthejnë me të huajt.
Ela tregon se ka pasur momente kur është ndjerë e mërzitur kur shoqet janë me pushime.
“Por kur marr mirënjohje nga turistët ndjehem shumë mirë për eksperiencën që kam marrë dhe ndihmën që më më ka dhënë për t’u rritur si njeri, nuk do ta ndryshoja me asgjë”, – nënvizon Ela.

Të vjen keq, shton ajo, kur ti ke shumë kërkesa dhe duhet ti anulosh se nuk ka vende, për këtë arsye mendojmë të bëjmë diçka më të madhe.

“Me këtë punë të gjithë përfshihemi nga pak, sidomos unë dhe gjyshja e cila më ndihmon edhe kur unë nuk dua të më ndihmojë. Gjyshja merret me gatimet tradicionale, sepse gatuan shumë mirë dhe bën një lëng shumë të mirë me boronica të egra. Mëngjesin e përgatisim me produktet tona dhe perimet e freskëta të zonës. Kjo është ajo çfarë të huajt vlerësojnë tek ne, sepse gjithçka u rezervohet në mënyrë organike. Gjyshja përgatiti gliko kajsie dhe lëng manaferre të bërë vetë”.

Ela rrëfen se “më pëlqen që më marrin shumë për guidë, u pëlqen mënyra si bëj guidë në turin e tyre në Berat. Pjesa ime e preferuar kur ata më thonë sa ditë do rrinë dhe mundohem t’u sugjeroj cilat vende janë më pikante në Shqipëri dhe në këtë mënyrë vizitojnë gjithë vendin”.

Ajo ka gjithashtu një këshillë për të gjithë të rinjtë.

“Fjala e pamundur për mua nuk ekziston më. Thjesht të bëni më të mirën tuaj, studioni fort, mësoni anglisht është çelësi i duhur. E gjithë kjo punë më ka shërbyer të di se çfarë unë dua dhe çfarë më bën të lumtur”, – shprehet Ela.

21-vjeçarja thekson se “me të ardhurat që mbledhim këtu më ndihmojnë të vazhdoj shkollën dhe të bëhem një njeri më i mirë për veten time”.

“Kemi punuar shumë për të arritur këtu ku jemi”, – e mbyll rrëfimin Ela Dingu. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.