Intervista/ Bejko: Procedurë të përshpejtuar për riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 23 shtator/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në bashkinë e Tiranës, Erindi Bejko, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se Kryetari i bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues të qeverisë janë duke punuar për nxjerrjen e një vendimi të veçantë të Këshillit të Ministrave, me qëllim që pjesa ndërtimore të nisë sa më shpejt.

Ai tha se janë në total rreth 420 banesa të dëmtuara pjesërisht dhe plotësisht.

Sipas Bejkos, vullneti është që brenda nisjes së dimrit të egër banorët e prekur nga tërmeti t’i kthehen jetës si para 21 shtatorit. “Kryetari i bashkisë së Tiranës gjithashtu dhe përfaqësues nga qeveria qendrore janë duke punuar për të nxjerr një vendim të Këshillit të Ministrave i veçantë që pjesa ndërtimore të nisi sa më shpejt. Njerëzit të ndihen të sigurt pranë shtëpive të tyre dhe të mos futen në burokracitë e zakonshme të lejeve, taksave… etj. Por që, pjesa ndërtimore të nisi sa më shpejt dhe të bëjmë të mundur që të gjitha pasojat që tërmeti la të mbyllen në pak muaj punë, pa na zënë pjesa më e egër e dimrit fundi dhjetorit, janari e tutje”, tha Bejko.

Sipas tij, grupet e punës të ngritura nga bashkia e Tiranës dhe shtabet e emergjencave civile janë duke punuar me intensitet të plotë për të vlerësuar sa më mirë situatën. “Kur ka raste ekstreme, si rasti i tërmetit të dy ditëve më parë, puna e parë e institucioneve është sigurimi i jetës së banorëve”.

“Lëvizja e parë ka qenë te njerëzit e moshuar apo të vetmuar, si dhe për qytetarët më në nevojë. U ngritën dhe 6 pika emergjente për pritjen e të evakuuarve. Faza e parë e emergjencës ishte kjo dhe fatmirësisht nuk pati jetë të humbur. Ky është lajmi më i mirë i kësaj historie”, tha Bejko

“Hapi dytë është vlerësimi i dëmtimit të pronës së qytetarëve. Kemi shtëpi të dëmtuara plotësisht, afro 35 janë të raportuara deri tani. Kemi shtëpi të dëmtuara pjesërisht. Kemi pallate që kanë pasur dëmtime, rreth 60 të tilla, sipas një shikimi të parë të komisioneve të vlerësimit, më pas Instituti i Ndërtimit do bëjë vlerësim më të thellë”, tha Bejko.

“Kemi dhe shtëpi me probleme konstruktive. Zakonisht këto janë shtëpitë e viteve 60-70, pasi janë vetëm me mure pa kolona, siç dhe kanë rezultuar banesa në Ndroq, Kashar, Baldushkë e Petrelë”, shtoi Bejko.

Ai tha, “këshilli bashkiak ka miratuar dje edhe një fond për këtë emergjencë dhe tashmë po plotësohet dokumentacioni i nevojshëm sipas ligjit për të dëmshpërblyer banorët e dëmtuar”, tha Bejko.

“Sa i takon inspektimeve, ne kemi grupe vlerësimi për çdo njësi administrative dhe kemi 24 njësi administrative dhe 3 lagje, pra janë 27 grupe të shoqëruar nga ekspertët e urbanistikët. Këto grupe mbështeten dhe nga punonjës shtesë. Grupet kanë specialistët e tyre të urbanistikës dhe sjellin në bashki preventivin dhe dokumentacionin përkatës për vlerën e riparimit të shtëpisë dhe këshilli bashkiak për çdo familje më vete bënë diskutimin përkatës merr vendimin përkatës”, tha ai.

“Bashkia është treguar e kujdesshme edhe për pjesën e solidaritetit. Çadra që ka qenë në sheshin ‘Skënderbej’ ka mbledhur ushqime që sot i kemi shpërndarë në disa familje. Kemi të hapura kanalet e komunikimit me të gjithë donatorët, ambasadat apo dhe njerëz që kanë mundësi për të dhënë një dorë në gjithë këtë situatë të pazakonshme”, tha ai.

“Nga inspektimet e mia që kam realizuar mëngjesin sotëm në katër zona administrative, edhe deputetët e zonave janë në terren për të takuar banorët e për të qenë pranë tyre. E para për të hequr panikun, panikun artificial siç ishte ajo çmenduria kolektive e djeshme (duke iu referuar lajmit të rremë të publikuar nga një portal mbrëmjen e djeshme lidhur me mundësinë e rënies së një tërmeti), janë  elemente që duhen kontrolluar, e që kontrollohen përmes komunikimit. Duke ia shpjeguar shumë thjesht, siç e tha dhe ministrja e Mbrojtjes, që theksoi dje se ende nuk ka njeri që parashikon sot me orë e minuta të sakta, se kur bie tërmeti, se po të ishte kështu, ai person do ishte shumë i rëndësishëm”, tha Bejko.

“Por siç e thanë dhe ekspertët pjesa më e keqe kaloi. Por, pjesa më e keqe kaloi sa i takon goditjes dhe panikut, por tani është pjesa më e vështirë për institucionet për të përpiluar dokumentacionin, sepse janë rreth 420 banesa të dëmtuara pjesërisht dhe plotësisht që t’i japim drejtim historisë që njerëzit të jenë sa më shpejt në kushtet siç ishin para datës 21 shtator”, tha Bejko për Agjencinë Telegrafike Shqiptare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.