Pasojat e tërmetit/Balluku: Asnjë avari në infrastrukturë, skuadrat e emergjencave në monitorim të situatës

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku tha sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të thirrur nga kryeministri Rama për situatën pas tërmetit se nga tre drejtoritë rajonale nuk raportohen probleme.

Sipas saj, skuadrat e emergjencave janë në gatishmëri dhe gjatë natës së sotme dhe në vijim. Ura e Fushë Krujës dhe Peqinit, e Rrogozhinës do vijojnë të mbahen nën kontroll. Portet dhe aeroportet kanë vijuar në normalitet. Porti I Durrësit nuk ka pasur dëmtimet, përveç magazinës 4-5 ku ka pasur disa krisje të lehta të murit, por pa problematikë. Tërmeti s’ka dëmtuar dhe aeroportin Nënë Tereza, duke kryer si gjithnjë aktivitetet. Rojet e sigurisë dhe sistemti e IT u aktivizuan menjëherë sipas procedurës për rastet e jashtëzakonshme.

Balluku tha se sistemi energjetik është goditur më shumë. Ka pasur stakime të nënstacioneve ose për shkak të aktivizimeve të sistemeve të sigurisë, në disa raste na është dashur të ndërhymë, pasi në nënstacione të rëndëishme si Tirana 1 apo Kombinat ka pasur avari apo shkëputje të transformatorëve dhe në të dy rastet reagimi OST ishte i menjëhershëm, duke i kthyer në punë brenda 15 minutave. Nuk raportohen dëme në nga shërbimet e ujësjellësave.

“Për shkak të numrit të madh të shtëpive të raportuara të dëmtuara do ngremë më shumë grupe kontrolli, që do vlerësojnë dhe sigurinë e ndërtesave. Ministria e Infrastrukturës do të vijojë të jetë në gatishmëri gjatë ditës së sotme dhe të nesërme dhe për të garantuaur funksionin e të gjitha akseve rrugore si dhe në transportin rrugor dhe atë detar”, tha Balluku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.