TIRANË, 20 shtator/ATSH/- Në qytetin bregdetar të Durrësit u zhvillua sot ekspozita me temë “Dita pa makina” e organizuar në kuadër të “Javës Europiane të Lëvizshmërisë” nën kujdesin e Këndit të BE.
Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, e cila tha se “jam krenare për punimet e realizuara me kaq përkushtim dhe kreativitet nga nxënësit e disa shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit”.
Në këtë ekspozitë fëmijët prezantuan punimet e tyre, si dhe u ndanë çmimet për fituesit e ekspozitës sipas kategorive të përzgjedhura.
Pjesë e aktivitetit ishte pedalimi i biçikletave nga fëmijët në sheshin “Iliria” përpara Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”.
Ky aktivitet vjen si përmbyllje e një sërë aktivitetesh që janë organizuar nga bashkia Durrës për Javën Europiane të Lëvizshmërisë. /k.s/j.p/