Kryeministri Rama i dorëzon Presidentit të KE-së, Donald Tusk, “Yllin e Madh të Mirënjohjes”


TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i akordoi dje Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk “Yllin e Madh të Mirënjohjes”.

“Me respekt e mirënjohje, për polakun dhe europianistin e madh Donald Tusk, një mik i çmuar i Shqipërisë e i kombit shqiptar”, tha Rama, ndërsa argumentoi edhe motivacionin që e shoqëron këtë medalje.

“Nëse ka një simbol që dy kombet tona (edhe pse ju në këtë moment përfaqësoni ende 28 kombe) ndajnë prej shekujve, është ai i shqiponjës. Juaji, i bardhë dhe ka vetëm një kokë, që sheh djathtas saj, drejt perëndimit, nga ana e duhur e historisë.

Jona është e zezë e ndonjëherë e praruar. Dykrenaria nuk është një kopje e thjeshtë e simboleve të rëna perandorake por një shenjë që Shqipëria, ndërsa është një as nën mëngë për sigurinë dhe begatinë e perëndimit, ai perëndim që përbën portin tonë natyror mbetet një urë unike midis Europës si e tërë dhe qytetërimeve të tjera, horizonteve të tjerë.

Të dy shqiponjat, e bardha dhe e zeza bashkohen nga krahët që janë shpalosur me aq shumë sakrifica për të ruajtur kontinentin tonë të vjetër e njëkohësisht të shkëlqyer, nga veriu dhe jugu, nga lindja e perëndimi duke u vëllazëruar që shumë kohë më parë, veçanërisht në fushëbeteja.

I pari që ngriti me krenari këtë simbol në tokat tona, në shekullin e XV, ishte Skënderbeu heroi ynë kombëtar dhe një aleat i fuqishëm i Vladislav Jagellonit, Mbretit të Polonisë dhe Dukës së Madh të Lituanisë.

Vetëm 5 ditë më parë, në 12 shtator, ne i kujtuam vetes, jo shumë europianë të tjerë e bënë këtë përpjekjen heroike të mishëruar nga mbreti juaj shenjtor, John III Sobiesky, në vitin 1683 për të shpëtuar Vienën, Perëndimin, të gjithë Europën, nga armiqtë e saj të asaj kohe.

Nuk kishte vetëm shqiponja, me një apo dy koka në flamujtë e tij të lavdishëm, por edhe fëmijë të shqiponjave, dua të them shqiptarë, në ushtrinë e tij.

Përpara dhe pas bëmave të tij të pashlyeshme, Polonia, si një hap i parë drejt vlerave europiane ishte shndërruar në shtëpinë e shumë shqiptarëve që shkëlqyen në shërbimin e kurorës polake, diplomatë dhe ushtarakë, si Brutët, Brunit apo Krutët.

Kjo marrëdhënie shumë e veçantë, edhe pse ndonjëherë e neglizhuar midis dy vendeve tona europiane, reflekton edhe një fat të përbashkët.

Një herë, në një vizitë private që parapriu vizitat e tij historike në Shqipëri në vitin 1993, çka më është rrëfyer nga një kalimtar i rastit Papa Gjon Pali i Dytë, Karol Vojtila, më thjeshtë dhe guxim krahasoi Shqipërinë me Poloninë. Sakrifica të panumërta, humbje të papërshkrueshme dhe plagë të pafundme, një ndarje e padrejtë dhe e turpshme, kanë qenë buka e përditshme e dy vendeve tona, deri në agimin e demokracisë dhe mbi të gjitha, në lindjen e projektit të Europës së Bashkuar.

Jam shumë i nderuar t’ju jap Ju këtë medalje në shenjë mirënjohje që ta merrni me vete nga Shqipëria si një polak në gjak dhe në kujtesën tuaj, e si një europian në bindje, ju ndani këtë ndjenjë të historisë dhe e dini atë që ju keni theksuar kaq qartë dhe me zë kumbues që integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian nuk është në asnjë mënyrë një preferencë, por një domosdoshmëri e kohëve tona dhe një as nën mëngë, përsëri, në duart e vendimmarrësve europianë.

I shtrenjtë Donald. Medalja e Meritës e Kryeministrit është nderimi më i lartë i ofruar nga ligji, nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Është një medalje në trajtën e simboleve dhe ngjyrave tona kombëtare, shqiponjën dykrenare dhe yllin e Skënderbeut.

Për më tepër, ylli 36-cepësh, për të simbolizuar 36 gërmat e alfabetit tonë latin, i cili në të kaluarën afroi shqiptarët më pranë trashëgimisë europiane.

Për të qenë i sinqertë, ju jeni që tani i familjarizuar me këtë emblemë, duke qenë se iu ofrua një spilë e ngjashme kur vizituat Tiranën gjatë Vitit të Skënderbeut. E gjithashtu ju jeni shumë i familjarizuar me Skënderbeun, jo vetëm për historinë, por edhe për shkak të konjakut që kanë pirë polakët, mes tyre edhe ju gjatë kohës së izolimit tonë.

Unë dua t’ju dorëzoj këtë medalje të veçantë.

Donald Tusk:

Shumë faleminderit zoti Kryeministër, i dashur Edi. Ishte një surprizë e këndshme leksioni juaj i shkurtër dhe shumë emocional mbi historinë tonë të përbashkët dhe është një simbol i mirë, kjo shqiponja jonë e bardhë dhe e zezë.

Në politikë rrallë ndodh të jenë gjërat bardh e zi, që do të thotë të jenë shumë të thjeshta dhe të qarta por për mua sot një gjë është absolutisht e qartë. Nuk jam i sigurt që e meritoj këtë çmim, por jam shumë i sigurt që ju meritoni shumë më shumë. Ju si kryeministër i qeverisë suaj, ju si komb, si shtet dhe ju e dini që është edhe ëndrra ime që të finalizohen përpjekjet tona të përbashkëta dhe të realizohen ëndrrat tona europiane dhe shqiptare që është patjetër hapi i ardhshëm dhe thelbësor në procesin e negociatave. Ju uroj vërtetë më të mirat, e di sa rëndësi ka edhe për ju personalisht, por mund të mbështeteni gjithmonë tek unë jo vetëm ngaqë më dhatë këtë çmim, por edhe kjo është një mënyrë e mirë që të më mbani të qëndrueshëm dhe të vendosur.

– Faleminderit shumë!

– Faleminderit shumë, është nder dhe kënaqësi!”. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.