Maratona e Tiranës, Veliaj: Dhe një muaj kohë për t’u përgatitur

TIRANË, 10 shtator/ATSH /- Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj ka kujtuar të gjithë apasionuarit e sportit, por jo vetëm, se pas një muaji në kryeqytet do të zhvillohet maratona e radhës.

“Kemi edhe një muaj e pak kohë për t’u përgatitur për Maratonën. Bëj ekipin dhe shfrytëzo të gjitha korsitë që janë bërë për vrap”, thekson Veliaj.

Maratona e Tiranës rikthehet me datë 13 Tetor 2019 në edicionin e saj të 4-të. Pjesëmarrës këtë vit do të jetë edhe vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili është shfaqur duke zhvilluar dhe stërvitje nga kodrat e Parkut të Liqenit.

Me një pjesëmarrje të moshave të ndryshme nga shumë vende të ndryshme të botës, ky event mund të cilësohet si eventi më i madh sportiv i kryeqytetit dhe jo vetëm. Itinerari do të përshkruajë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë por edhe në argëtim. Përveç se një ngjarje sportive për garuesit, do të mund të konsiderohet edhe një ditë festive për qytetin, në të cilin do të organizohen shumë aktivitete artistiko-kulturore në kuadër të këtij eventi./a.g/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.