Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi 4 dekretet e Presidentit

TIRANË, 3 shtator /ATSH – I. Vata/ – Komisioni i Ekonomisë vendosi sot rrëzimin e katër dekreteve të Presidentit Ilir Meta që rikthejnë për rishqyrtim në Kuvend projektligjet për privatizimet, për koncesionet dhe partneritetin publik privat, për koncesionin PPP “Rruga Orikum-Llogora” dhe koncesionit/PPP Milot-Balldren.

Në drejtimin e kryetarit, Arben Ahmetaj, komisioni për Ekonominë dhe Financat mori në shqyrtim dekretet e Presidentit të Republikës, si vijojnë: Dekreti nr. 11226, datë 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”.

Dekretin e  Presidentit të Republikës nr. 11251, datë 05.08.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 50/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”.

Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11254, datë 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogora”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – Bypass Orikum – Dukat” (ura e Shën Elizës).

Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11255, datë 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 52/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”.

Të pranishëm për të parashtruar argumentet ishin dhe Anila Denaj, ministre e Ekonomisë dhe Financave; Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bledar Dervishi, këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës.

Pas parashtrimit të argumenteve përkatëse, shumica e deputetëve të komisioni votoi për rrëzimin e dekreteve të Presidentit të Republikës, të cilat i kaluan seancës plenare për shqyrtim.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.