Grante për bizneset që operojnë në Qendrën Historike të Vlorës, hapet thirrja e dytë

TIRANË, 30 gusht /ATSH/ Hapet thirrja e dytë për mbështetje financiare me grante për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në Qendrën Historike të Vlorës.

Qendra Historike në Vlorë, po shkon drejt restaurimit përfundimtar ndërsa Shoqata TID Vlora (Zona për Zhvillimin e Turizmit) ka hapur thirrjen e dytë për aplikim të bizneseve për grante.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit është deri më datë 30 tetor 2019.

Të gjitha bizneset që operojnë në Qendrën Historike të Vlorës apo biznese të reja që duan të hapen në zonë dhe janë të interesuara për aplikim, duhet të paraqiten në zyrën e shoqatës.

Në zonën TID ka një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore. Secili prej tyre paraqet fakte dhe histori interesante që mund të marrin interesin e vizitorëve të shumtë vendas e të huaj. Stili i përdorur në shumë godina krijon njëfarë uniformiteti në zonë, por që e dallon lehtësisht nga zonat e tjera nga pikëpamja arkitektonike.

Ndaj dhe përzgjedhja e biznesit që do të zhvillojë aktivitet në këtë zonë është sipas disa karakteristikave tipike që i shërbejnë zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm me atraksion të veçantë. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.