“Infermierë për Shqipërinë”/ Rritet konkurrenca, 1747 aplikantë u kualifikuan për fazën e dytë

TIRANË, 29 gusht/ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë rezultatet paraprake të verifikimit të kandidatëve që kanë aplikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë” për të marrë pjesë në konkursin për profesionistë të shkencave mjekësore teknike, për t’u punësuar në institucionet shëndetësore publike.

Sipas rezultateve paraprake, në fazën e dytë janë kualifikuar 1747 profesionistë të shkencave mjekësore teknike, 1238 prej të cilëve janë infermierë. Por, kandidatët kanë të drejtë ankimimi brenda tre ditëve për vlerësimin ose moskualifikimin, para se të dalë lista përfundimtare e kandidatëve që kualifikohen për fazën e dytë të konkurrimit.

Ndryshe nga konkurset e mëparshme, testimi do të jetë i informatizuar dhe do të kryhet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me letërnjoftim, kopje të kartës, faturën me pagesën e tarifës për QSHA-në.

Profesionistët e shkencave mjekësore teknike nuk do të paguajnë tarifën e plotë, por tarifën e reduktuar sipas marrëveshjes së firmosur ndërmjet ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore “Për ofrimin e shërbimit të digjitalizuar të kandidatëve për tu punësuar si infermier në institucionet shëndetësore publike”.

Testimi do të zhvillohet në Shtator dhe kalendari për testimin e informatizuar do të publikohet në faqen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore si dhe në portalin “Infermierë për Shqipërinë”. Lista paraprake e kandidatëve të kualifikuar http://infermierepershqiperine.al/shpallje/

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.