Agrobiznesi shqiptar mirëpret “Fiskalizimin”, Rrapaj: Shmang abuzimet

TIRANË, 29 gusht /ATSH/- Agrobiznesi shqiptar, mirëpret procesin e fiskalizimit si instrument kryesor për të luftuar informalitetin në ekonomi.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, (KASH) Agim Rrapaj, u shpreh se “sistemi i ri i fiskalizimit do të shmangë policët tatimorë dhe abuzimet.

Sipas tij, informaliteti ndihet edhe në industrinë agroushqimore, ndaj ky proces është i rëndësishëm dhe do të kontribuojë në zhvillimin e tregtisë së lirë dhe konkurrencës së ndershme mes bizneseve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të konsultimeve me grupet e interesit lidhur me faturimin elektronik, ose projektligjin për “Fiskalizimin” zhvilloi sot një takim me Këshillin Konsultativ të Investimeve, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të sektorëve kryesorë të biznesit shqiptar.

Konsultimet për këtë projektligj të rëndësishëm, të parashikuar për tu zhvilluar deri në fund të muajit gusht 2019, do të shtyhen deri më 15 Shtator 2019.

Projektligji i ri parashikon të zbatohet më 1 janar 2020. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.