Të pasigurt për konsum/ Ndalohet hyrja në vend e 387,1 tonë mish nga Kanadaja e Brazili

TIRANË, 23 gusht /ATSH/-  Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndaluar hyrjen në territorin shqiptar të 387,1 tonë produkteve ushqimore të pasigurta.

Në një njoftim për shtyp, AKU bën të ditur se, 234,5 tonë mish është kthyer në vendin e origjinës dhe 152,6 tonë të tjera janë në proces kthimi.

Nga kontrollet e kryera nga AKU në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës gjatë ditëve të fundit janë konkluduar se disa ngarkesa me produkte importi janë të pasigurta për konsum njerëzor dhe si rrjedhojë kanë vendosur për kthimin e tyre në vendin e origjinës.

Më konkretisht: tri ngarkesa me sasi totale 74,946 tonë “Mish derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues.

Dy ngarkesa me sasi totale 52,257 tonë “Mish viçi” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “Apetit shpk”, në regjim tranzit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit.

Më herët, analizat e kryera për disa nga ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë mikrobiologjike dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye dhe referuar bazës ligjore dhe rregullatore në fuqi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:

Katër ngarkesa me sasi totale 107,240 tonë “Mish derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “ZICO sh.a.” është finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, më konkretisht: 51,984 tonë “Mish derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “AMG shpk”, 27 tonë “Fileto pule” nga Brazili, importuar nga subjekti “KING MIT”, 25,999 tonë “Mish derri” nga Brazili, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, 22,648 tonë “Mish viçi” nga Brazili, importuar nga subjekti “DEKON FRIGO shpk”. 25 tonë “Mish derri” me origjinë nga Qipro, importuar nga subjekti “EHW shpk”, dhe me finalizimin e praktikës për kthimin në vendin e origjinës ose asgjësim, rezultati do të njoftohet në rrjetin europian të shkëmbimit të informacionit mbi rreziqet që lidhen me ushqimin (RASFF).

Në kuadër të mbarëvajtjes të sezonit turistik veror, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon monitorimet rigoroze për cilësinë dhe efektivitetin e kontrolleve zyrtare të ushqimit si në terren ashtu dhe në Pikat e Inspektimit Kufitar.

Kontrollet e kryera nga inspektoret e ushqimit të AKU Durrës në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës gjatë ditëve të fundit kanë konkluduar se disa ngarkesa me produkte importi janë të pasigurta për konsum njerëzor dhe si rrjedhojë kanë vendosur për kthimin e tyre në vendin e origjinës. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.