“Venë dhe verë”/ Festa lokale tërheq turistët e huaj në shëtitoren e Golemit

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Festat lokale janë kthyer në një mundësi të mirë të prezantimit e produktit shqiptar te turistët e huaj dhe eventi i radhës u mbajt në Golem.

“Venë dhe verë”  festa lokale në Golem mblodhi bashkë dhjetra kantina të zonës së Shqipërisë së Mesme dhe qindra turistë të cilët shijuan verën shqiptare.

I pranishëm në këtë festë, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi tha se të tilla aktivitete tregojnë se në Shqipëri mund të bëhet turizëm potencial, që prodhon ekonomi, para e punësim, por edhe oferta të ndryshme turistike. Ministri Klosi apeloi tur operatorët që të shtojnë ofertën turistike duke përfshirë të gjitha festat lokale në paketat e tyre për turistët e huaj.

“Organizimi i festave lokale në të gjithë vendin sidomos në vijën bregdetare është bërë me disa qëllime. Qëllimi i parë është që ne të japim sa  të kemi mundësi audiencë dhe evidentim te produkteve vendase dhe besoj që këto kantina do të kenë sot një mundësi të mirë për të tregtuar produktet e tyre dhe besoj që me lejen e bashkisë së Kavajës dhe të Durrësit të jenë për një afat më të gjatë sesa një ditë që të kenë mundësinë që shumë turistë të huaj që kanë ardhur t’i testojnë produktet e vendit”, -tha ministri.

Më tej, Klosi tha kantinat e shumta të ngritura në zonën e Durrësit dhe të Kavajës përfaqësojnë një agroturizëm, që sipas tij do të jetë edhe e ardhmja e turizmit.

“Shumë e rëndësishme është që të gjitha kantinat që janë në këtë panair përfaqësojnë një agroturizëm dhe ky është një biznes i ri që ka lindur në kodrat pranë Durrësit dhe kjo do të jetë e ardhmja, pra turistë të huaj që vizitojnë këtë zonë kaq të bukur të Shqipërisë të kenë mundësinë që brenda pushimeve të tyre të vizitojnë edhe kantinat, të testojnë produktin vendas dhe të njihen me mrekullinë e kësaj zone. Siç është kjo shëtitore kaq shumë e populluar shumë shpejt edhe zonat e kodrave do të kenë biznes dhe hoteleri. Projekti jonë për mbështetjen e agroturizmit ka suksesin më të madh të zonën e Durrësit dhe të Kavajës pasi janë me dhjetëra aplikimet për agroturizëm. Sic e shikoni këtu janë një grup shumë i madh kantinash dhe bashkitë me këtë eksperiencë , vitin e ardhshëm do të organizojnë një panair të madh të verës për ta shndërruar atë në një moment të fortë biznesi për zonën”.

Pasi vlerësoi mirë administrimin e sezonit veror nga bashkitë Kavajë dhe Durrës, Klosi u kërkoi drejtuesve lokalë që të shndërrojnë këto festa në traditë.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit theksoi se këto festa janë nisma që bëjnë ndryshimin vit pas viti në mënyrën sesi kemi zgjedhur të bëjmë turizëm në vendin tonë. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kavajës u shpreh se kjo festë gjeneron pozitivitet te turistët ndaj do të mbështetet nga kjo bashki edhe në vitet e ardhshme.

“Venë dhe Verë Fest ”e shndërroi pedonalen e Golemit në një hapësirë festive duke tërhequr turistët e shumtë që pushojnë në këtë zonë. Kantinat prezantuan produktet më të mira, të cilat u vlerësuan nga turistët e huaj, të surprizuar nga larmia e etiketave shqiptare dhe cilësia e verës së ofruar. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.