TEKNOLOGJI – Huawei zbulon sistemin e tij operativ

DONGGUAN, 9 gusht /ATSH-AFP/ – Gjiganti kinez i telefonisë celulare “Huawei”, kërcënuar për humbje të aksesit në “Android”, për shkak të sanksioneve amerikane, zbuloi sot një sistem të ri operativ me të cilin do të pajisë telefonat celularë.

Sistemi, i quajtur “HarmonyOS”, u prezantua nga drejtori ekzekutiv, Richard Yu, gjatë një konference shtypi me programuesit e grupit në Dongguan (jug të Kinës).

Ai është i destinuar të pajisë llojet e ndryshme të aparatëve të markës në të njëjtit ekosistem.

“Ne dëshirojmë të japim më shumë harmoni (…) në botë”, theksoi Yu, ndërkohë që “Huawei” është vendosur në listën e zezë nga SHBA-ja, që dyshon për spiunazh në përfitim të Pekinit, gjë që kompania e hedh poshtë.

Huawei, numri dy botëror i smartfonëve, u përball me vështirësi në muajin maj nga përshkallëzimi i luftës tregtare mes Pekinit dhe Ushingtonit në sfondin e rivalitetit teknologjik.

Përfshirja në listën e zezë të kompanisë, që është konsideruar si lider i 5G, bën që kompanitë amerikane të mos lejohen më teorikisht t’i shesin prodhime teknologjike.

Një periudhë tre mujore, që do të përfundojë javën e ardhshme, u akordua nga Uashingtoni.

Ky ndalim përfshin gjithashtu “Google” dhe  furnizimin e sistemit të tij “Android”, që pajis pjesën më të madhe të smartfonëve në botë, mes të cilëve dhe Huawei-n./

/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.