Betohet kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku: Asnjë dallim mes të majtëve dhe të djathtëve

TIRANË, 5 Gusht /ATSH/ -Kryetari i ri i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku është betuar sot në një mbledhje të mbajtur në Prefekturën e Tiranës. Gjithashtu sot është konstituuar edhe këshilli bashkiak i Vorës.

Gjatë mbledhjes u zgjodhën 3 nënkryetarët e Këshillit Bashkiak, Edmond Mema, Gazmend Zela dhe Ruzhdi Merja. Ndërsa kryetare e këshillit bashkiak u zgjodh Mimoza Lala.

Kryebashkiaku Agim Kajmaku tha se në drejtimin e tij duk do ketë dallim mes elektoratit të majtë dhe të djathtë. Ndërsa u shpreh se do të jetë në zyrë prej ditës së sotme.

“Falenderoj të gjithë ata që më votuan mua. Nuk do ketë dallim as nga krahu i majtë as nga krahu i djathtë. Do të jem në zyrë që nga dita e sotme. Nuk do ketë asnjë lloj revolte”, u shpreh Kajmaku.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe deputeti socialist, Ervin Bushati i cili pas konstituimit të këshillit bashkiak të Vorës, u shpreh se gjatë këtyre ditëve do të përfundojnë konstituimet në të gjithë qarkun e Tiranës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati u shpreh se, “qytetarët e bashkisë Vorë meritojnë shërbime më të mira, investime më të shumta, aq më tepër që kemi një përgjegjësi të dyfishtë si mazhorancë dhe pas kaq vitesh drejtimi i bashkisë Vorë i kalon PS. Kështu që shpresoj të qeverisim në nivel lokal ashtu si në nivel qendror duke kaluar pritshmëritë e qytetarëve”.

“Këto ditë mbarojnë konstituimet në të gjithë qarkun e Tiranës, pra është një lajm i mirë, pas bashkisë Tiranë, bashkisë Rrogozhinë, Kavajë dhe tani Vora”, tha ai.
“Shpresoj që PS të sjell në nivelin lokal një rilindje e cila është parë në qytetet që kemi qeverisur deri sot. Në nivel qendror me reformat dhe zhvillimin ekonomik që ka marrë Shqipëria dhe shpresoj shumë shpejt që qytetarët e bashkisë Vorë, pavarësisht nëse janë zgjedhës të PS apo të partive të tjera do të kenë një kryetar, i cili do të punojë për të gjithë qytetarët e Vorës. Sepse Vora me një traditë dhe me një histori të spikatur qytetare, kaq pranë kryeqytetit, pra një qytet brenda kryeqytetit të Tiranës, meriton që të ketë më shumë investime, të ketë më shumë shkolla, më shumë shërbime. Të ketë ujë, të ketë drita, të ketë rrugë njësoj si në qytetin e Tiranës”, nënvizoi Bushati.

Dhe kjo, theksoi ai, “do të jetë sfida jonë që në vitet e ardhshme t’’i tregojmë të gjithë qytetarëve të qarkut Tiranë sesi qeveris PS me mbështetjen e qytetarëve për të rilindur çdo qendër urbane. Aq më tepër që qytetarët shqiptarë sot kanë një standard të vendosur nga bashkitë socialiste si Tirana, apo Korça apo Durrësi të cilat kanë ndryshuar dhe do të përpiqemi t’ia ndryshojmë faqen edhe këtyre qyteteve që pas kaq vitesh po rikthehen në drejtimin e PS si bashkia Vorë”.

Bushati shtoi se, “Kryetari Agim Kajmaku do të jetë një kryetar mbi palët politike. Do të jetë një kryetar i të gjithë qytetarëve sepse në fund të ditës jemi shqiptarë në prag të dyerve të Europës që presim të kemi shërbime më të mira, të kemi fëmijët të trajtuar më mirë nëpër shkolla dhe çerdhe dhe të jemi më të sigurt në jetën tonë dhe me shërbime sociale dhe me shërbimet e infrastrukturës në jetën tonë të përditshme”.
“Zona e Vorës është një zonë që ka dhe një zhvillim ekonomik të spikatur. Ka një zonë industriale dhe biznesi, e cila është shumë vibrante dhe kohët e fundit i është atashuar shumë mirë korridorit më të fuqishëm ekonomik dhe energjik si ai Tiranë-Durrës”, tha Bushati.

Edhe ish-kryetari i këshillit bashkiak të Bashkisë së Tiranës i pranishëm në këtë mbledhje tha se, “Bashkia Vore ka një potencial të dukshëm zhvillimi në Qarkun Tiranë. Sot Agimi pas betimit si kryebashkiak premtoi që do i shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim politik, ndërsa kjo zonë e rëndësishme do përfitojë shumë nga vizioni dhe eksperienca e Bashkisë së Tiranë në të ardhmen”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.