Super rezerva me naftë dhe gaz në Shpirag, kompani të mëdha interes për Shqipërinë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/- Zbulimi në Shpirag ka konfirmuar praninë e mundshme të një super rezeve nafte dhe gazi, në të gjithë pellgun që shtrihet deri në bllokun e Dumresë, duke ngjadhur një interes të veçantë të kompanive të mëdha, për të investuar në Shqipëri.

Kryeministri i vendit Edi Rama, në një konferencë për median, u shpreh sot se “në sektorin energjisë, kemi pasur një periudhë të lumtur, me konfirmimin e zbulimit të madhe të rezervës në Shpirag”.

“Jemi duke diskutuar edhe me disa blloqe të tjera dhe duke parë mundësinë e diversifimit të pranisë së kompanive të mëdha në këtë sektor strategjik”- theksoi Rama.

Për herë të parë pas shumë dekadash, Shqipëria shënoi një zbulimi të rëndësishëm nafte.

Testimi i shumëpritur i gjigantit ndërkombëtar “Shell”, në pusin e Shpiragut, konfirmoi zyrtarisht potencialin e prurjeve të naftës në këtë zonë, në rendin e disa mijëra fuçive në ditë.

Shell deklaroi se volumi i saktë i rezervave të naftës, që gjenden në vendburim, dhe ato që mund të prodhohen, do të përcaktohet përmes vlerësimeve të tjera gjatë muajve në vijim.

Pusi i Shpiragut gjendet në afërsi të Beratit dhe është pjesë e bllokut 2 dhe 3. Për herë të parë prezenca e naftës në këtë zonë u diktua në vitin 2013. Që nga ajo kohë “Shell” ka vazhduar kërkimet dhe vlerësimin e nëntokës, për të konfirmuar përfundimisht gjetjen e naftës.

Tashmë pas 6 vitesh kërkime, kompania ka kryer testimin e parë zyrtar, i cili ka konfirmuar pritshmëritë se vendburimi i Shpiragut ka potencial, për prodhim nafte në rendin e disa mijëra fuçive në ditë. Ky testim, i cili do të pasohet nga disa të tjera gjatë muajve në vijim, e çon Shqipërinë më pranë zbulimit të një vendburimi të madh nafte.

Herën e fundit që në Shqipëri është zbuluar nafte ishte viti 1998 në vendburimin e Panajasë. Që nga ajo kohë në Shqipëri kanë kryer kërkime shumë kompani të njohura ndërkombëtare, por asnjëra nuk ka arritur të zbulojë naftë. Por kjo mund të ndryshojë shumë shpejt, teksa “Shell” duket e bindur se pusi i Shpiragut është një vendburim i rëndësishëm nafte, që mund të garantojë prodhimin e mijëra fuçive në ditë. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.