Veliaj publikon fotot nga ambientet e brendshme të Teatrit Kombëtar: Gjykojeni vetë

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Në përgjigje të Partisë Demokratike, e kryesisht kreut të saj, zotit Lulzim Basha i cili i është bashkuar protestës kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar pamje nga gjendja aktuale nga ambiente të jashtme e të brendshme të teatrit.

Veliaj ironizon Bashën, që sipas tij, ka shkelur për herë të parë në teatër. Ai thotë  se për Tiranën e së ardhmes, projektet në kryeqytet duhet të vijojnë, dhe se Pazari i ri, Parku i Liqenit, Shkolla “Kosova”, Bulevardi i Ri janë një garanci për këtë.

“Shumë mirëkuptim për Lulzim Basha dhe Ujësjellësin Kamzë që prej hallit po futen në teatro, ku s’kanë shkelur kurrë më parë – kërcejnë nga belaja.

Por, pse duhet fëmijët e këtij vendi të rriten në këtë karakatinë e të mos kenë të njëjtën cilësi teatri si shkolla “Kosova”, “Pazari i Ri”, apo Parku i Liqenit? Shihni vetë, e gjykoni nëse ja vlen që PD dhe seksioni i kulturës në parti duhet ta mbajnë këtë vend peng akoma!!!”, thotë kryetari i bashkisë së Tiranës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.