Transformimi i programit “Shqipëria 1 euro”, në investime serioze për zhvillimin e ekonomisë

TIRANË, 12 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Sot jemi me fat që kemi transformuar programin “Shqipëria 1 euro” nga një program për falje kapanonesh, uzinash apo pronash shtetërore të mbetura sot e gjithë ditën djerrë si rezultat i kontratave tërësish të pambështetura, në një plan serioz dhe me kompani serioze investimesh”, deklaroi sot nga Fieri, Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e fillimit të punimeve për stabilimentin e “Yura Corporation”, për prodhimin e pjesëve të këmbimit për makinat.

Ai theksoi se “nuk duhet harruar asnjëherë se për më shumë se 20 vjet, shumica dërrmuese e investitorëve të huaj janë shfaqur, dhe ata që kanë mbetur janë marrë kryesisht me shfrytëzimin e burimeve tona natyrore, por jo aq me investime prodhuese që krijojnë punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm për vendin duke e ngritur vendin në një kategori tjetër”.

Nga ana tjetër, Rama tha se ka pasur edhe një krah investimesh të orientuara për të shfrytëzuar krahun shumë të lirë të punës, por përsëri ajo që ka mbetur për një kohë të gjatë ka qenë fasha e paafrueshme e kompanive në prodhimet e një niveli tjetër, siç është prodhimi i automobilave.

“Sot ne jemi në një fazë të re ende në hapat e parë por me siguri me hapa të mjaftueshëm për të konstatuar se modeli ekonomik i bazuar te prodhimi dhe eksporti na ka në vendosur bazën e sigurt për të shkuar më tutje në mënyrë të qëndrueshme, nga epoka e rritjes së bazuar te bumi i ndërtimeve kaotike dhe remitancat, tani kemi hyrë në një epokë të re. Tashmë edhe falë pranisë së kësaj kompanie prestigjioze çelim siparin, shpresojmë, të një faqeje ku të tjera kompani në tregun e automobilave do të shfaqen duke zhvilluar një mozaik që ka disa gurë të vegjël në Elbasan apo Librazhd në disa filiale modeste, por goxha premtuese dhe tani këtë gur të rëndësishëm siç është ‘Yura’, pas një procesi të gjatë pengesash dhe një procesi jo të shkurtër negociimi”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh i inkurajuar dhe shpresëplotë për faktin se e kemi hapur këtë sipar me një kompani vërtetë prestigjioze. ‘Yura’ ka pasur një sërë zgjedhjesh për të investuar në Europë dhe mes këtyre zgjedhjeve ka zgjedhur të çelë një filial në Poloni dhe një në Shqipëri. Kjo është shumë inkurajuese sepse e dimë shumë mirë se kur flasim për Poloninë flasim për një ligë tjetër shtetesh të dala nga komunizmi por me një nivel zhvillimi dhe të investimeve të huaja të pakrahasueshme me Shqipërinë”, tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.