Foto/ Aksion për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Durrësit

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Taskforca e ngritur në Prefekturën e Durrësit ka nisur sot inspektimin e të gjithë vijës bregdetare me qëllim verifikimin e kushteve të plazheve që frekuentojnë pushuesit.

Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, në përbërje të Taskforcës janë përfaqësues të Policisë Bashkiake, Policisë së Rendit, Inspektoriatit Ndërtimor, Shëndetit Publik dhe Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale.

Prefekti i Durrësit Roland Nasto tha për ATSH se aksioni ka nisur tek Ura e Dajlanit dhe do të shtrihet deri në kufi me plazhin e Golemit, i cili është pjesë e bashkisë Kavajë.

Gjatë ditës së sotme, inspektorët e Policisë Bashkiake kanë vendosur tabelat për përcaktimin e vendeve për plazhe publike, ku në plazhin e madh të Durrësit do të jenë 6 të tillë.

Pushuesit kërkojnë marrjen e masave për të mos lejuar shitësit ambulantë që tregtojnë produkte të ndryshme ushqimore, pasi ato janë të pakontrolluara, ndërsa shtojnë se duhen krijuar më shumë hapësira mes çadrave.

Taskforca do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik dhe ka për detyrë shtrimin e kontrolleve të vazhdueshme për zbatimin e distancës nga bregu në vendosjen e çadrave, zbatimin e raportit të hapësirave plazh publik e privat sipas hartës së miratuar nga bashkia, zbatimin e kushteve higjieno-sanitare, moslejimin në plazhe të shitësve ambulantë si dhe kontrollin mbi gjenerimin e zhurmave dhe vendbazimet e mjeteve sportive ujore.

Ndërkaq, Agjencia Telegrafike Shqiptare ka ngritur më herët shqetësimi e paraqitur nga banorët për lirimin e hapësirave publike në plazhe. Në vëzhgimet e realizuara nga ATSH, banorët kanë shprehur hapur irritimin e tyre për mungesën e hapësirave për plazh publik.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.