FOTO/ “Butrinti Summer Festival”, vepra të huaja dhe shqiptare në edicionin e 17

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ – Në teatrin antik të Butrintit nisi mbrëmjen e djeshme festivali ndërkombëtar “Butrinti Summer Festival”.

Orkestra e Vajzave të Bukureshti, Rumani me “Nata e Mrekullive” hapën këtë festival mbrëmjen e djeshme. Publiku shijoj dhe pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të sopranos me famë botërore Arlinda Morava si dhe tenori Alfredo Pascu, të cilët interpretuan muzikë dhe këngë nga kompozitorë të mëdhenj botërorë.

Edicioni i 17 do sjell në skenë artistë të huaj dhe shqiptarë, që gjatë netëve të festivalit do të jenë me shfaqje të ndryshme teatrore. Vepra nga Shekspiri, Sofokliu, autorë të tjerë të huaj, si dhe pjesë nga autorë shqiptarë janë në skenën e festivalit.

Nga datat 7 deri më 13 korrik festivali ndërkombëtar i teatrit premton një atmosferë të bukur artistike, ku këto të ditë të korrikut në skenën antike do të jenë artistë të njohur, por dhe emra të rinj.

Në natën e dytë më 8 korrik do të jetë në skenën e teatrit antik shfaqja “Vallëzim i shpirtit” nga artistët e Beogradit nga Serbia, më nëntë korrik do të jenë në skenën e Butrintit artistët nga Kosova. Vepra teatrore “Karnavalet e Korçës” shkruar nga Spiro Çomora do të jetë në skenë me regji nga Altin Basha.

Mbrëmja e datës 10 korrik sjell artistët nga Kievi, Ukrainë me “Antigonën” të Soflikut me regji nga Iryna Klishchevska dhe Emmanouil Koutsurelis. Më 11 korrik do të jenë në skenë artistët nga Bullgaria me shfaqjen “Otello” nga Shekspir me regji nga Ivan Urumov.

Mbrëmja e datë 12 korrik sjell në skenë artistët nga Larissa e Greqisë, që do të jenë në Butrint me shfaqjen “Toka u ngjye në të kuqe” me regji nga Kyriaki Spanou. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.