Brazili mposht Argjentinën, shkon në finalen e Kupës së Amerikës

TIRANË, 3 Korrik /ATSH/ – Brazili mposhti Argjentinën me rezultatin 2-0 në Belo Horizonte, duke siguruar kalimin në finalen e Kupës së Amerikës, kompeticion të cilin këtë herë e organizon në shtëpi.

Sfida u zhbllokua në minutën e 19’, kur kapiteni brazilian Dani Alves fitoi një duel ajror, dribloi një kundërshtar dhe nisi në të djathtë Firminhon, ndërsa ky i fundit gjeti saktë në qendër Gabriel Jesus, i cili gjuajti dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Armanit.

Goli i dytë erdhi në minutën e 71-të, teksa në një zbritje të shpejtë Gabriel Jesus bëri gjithçka mirë dhe shërbeu për Firminhon, i cili me portën e boshatisur, shënoi edhe golin e sigurisë.

Minutat e mbetura u karakterizuan nga një tension i lartë dhe përpjekje të dëshpëruara të argjentinasve për të rihapur takimin, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.

Dështon sërish Lionel Messi, që të prish “mallkimin” me kombëtaren argjentinase, e cila edhe këtë herë nuk arriti t’i shkojë deri në fund Kupës së Amerikës, ndërsa Messi arriti të shënojë vetëm një gol me 11-metërsh.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.