Binaj: Do të jemi krah për krah, duke folur më pak dhe duke punuar më shumë

TIRANË, 28 qershor /ATSH-Megi Zonja/ Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Selenicës, Pëllumb Binaj, u shpreh se “do të jemi krah për krah duke fol më pak dhe duke punuar më shumë, duke ulur kokën në punë, por duke mbajtur shikimin përpara larg. Bashkinë e Selenicës do ta kthejmë tek PS, atje ku i takon dhe të gjithë dinë se çfarë ndodh kur e merr në dorë PS, shikoni Vlorën dhe ajo flet vetë, transformimet epike që kanë ndodhur, jo vetëm na bëjnë krenarë, por ato na japin besimin e plotë, se ne mund të ndryshojmë rrënjësisht situatën edhe në bashkinë e Selenicës dhe do të bëjmë çfarë është e mundur për ta kthyer atë në një model suksesi, pavarësisht shtrirjes së madhe dhe sfidave të panumërta që ajo paraqet”.

“Ne jemi besimplotë se në katër vitet e ardhshme qeveria socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, do t’i japë mbështetje pa kursim bashkisë së Selenicës. Në fakt qeveria e ka bërë këtë, dhe kur bashkia drejtohej nga kundërshtarët tanë politikë, janë pikërisht Kryeministri, Qeveria dhe deputetët që po bëjnë të pamundurën për ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës, projektin më madhor të krahinës së Labërisë. Ne do t’ju jemi mirënjohës përjetë, falenderime për besimin që krijoni te socialistët, njerëzit e thjeshtë duke shkelur vetë në çdo skaj të Shqipërisë nga jugu në veri, duke treguar rrugën se si arrihet suksesi”, – tha kandidati Binaj.

Binaj, theksoi se “më 30 qershor  të gjithë në Selenicë, socialistë dhe demokratë do të dalin të votojnë masivisht, ne do të marrim përgjegjësi, brezi që vjen dhe fëmijët tanë të mos na ngarkojnë me përgjegjësi për ato që patëm në dorë dhe nuk i bëmë, ndaj në këtë shesh ju premtoj që do të jem një shërbëtor për të gjithë banorët e Selenicës. Besimi dhe mbështetja që më dhatë këto ditë, në të 46 fshatrat, më kanë rritur përgjegjësitë, por njëkohësisht dhe energjitë. Votoni nr. 1 dhe 30 për të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe Labërisë./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.