“Forca e Ligjit” në 5 vjet sekuestroi 158 milionë euro nga asetet e paligjshme

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ – “Këshilli i Europës e vlerëson Shqipërinë dhe përmes raportit të MONEYVAL. Në kuadër të vlerësimit të MONEYVAL për Shqipërinë gjatë vitit 2018 ata vlerësuan përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të autoriteteve përgjegjëse në lidhje me luftën kundër pastrimit të parave”, u shpreh deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi gjatë seancës parlamentare.

“Forca e Ligjit” ka shenjestruar asetet e paligjshme. Nga periudha nëntor 2017 – janar 2019 janë finalizuar 24 operacione shumë të rëndësishme, janë vendosur para ligjit 203 drejtues e anëtarë të grupeve kriminale. Shuma e aseteve të sekuestruara në 5 vjet është 158 milionë euro”, tha Mesi.

Ajo shtoi se, “gjatë periudhës maj-dhjetor të 2018 kur flasim për korrupsionin Task Forca Antikorrupsion ka kryer hetime administrative në 70 institucione, ka marr 452 masa disiplinore ndër të cilat 108 zyrtarë janë shkarkuar. Po gjatë vitit 2018 referuar ligjit për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit janë sekuestruar pasuri me vlerën prej 60.5 milionë euro”.

“Reforma në Drejtësi dhe në këtë rast është një nga më të rëndësishme pasi në mënyrë të drejtpërdrejt do përmirësoj jo vetëm pjesën e formalizimit të biznesit por dhe luftë te ndjeshme ndaj pastrimit të parave për të financuar terrorizimin dhe nxitur destabilitetin’, u shpreh Mesi.

“Zoti Basha është thirrur në Prokurorinë e Tiranës pasi do të njihet zyrtarisht me akuzën si i pandehur për lobim rus në SHBA në periudhën zgjedhore 2017. Kur flasim për pastrim parash, para të cilat përdoren jo vetëm për lobime, po për të prishur imazhin e Shqipërisë dhe për të nxitur destabilitetin institucionet përgjegjëse duhet të ushtrojnë detyrën e tyre në funksion të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit”, vijoi Mesi.

Mesi tha se, “kjo është arsyeja pse opozita e dalë në rrugë nuk e do Reformën në Drejtësi, ata nuk e ndaluan dot Vetingun dhe sigurisht nuk do ndalojnë as finalizimin e Reformës në Drejtësi”.

“Arsyeja pse e duan copë Shqipërinë në sytë e botës është pikërisht për të mos hapur negociatat. Kjo sepse në momentin e hapjes së negociatave do hapen gjithë kapitujt dhe kur flasim për to Shqipëria duhet të rris standardet e saj. Kapitujt e parë që do hapen janë ato të Reformës në Drejtësi dhe do jetë pikërisht kjo reformë që do na hapë rrugëtimin tonë drejt Europës dhe Perëndimit”, përfundoi deputetja Mesi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.