Rritje e prodhimit të perimeve, Fieri, Tirana dhe Berati me nivelin më të lartë

TIRANE, 14 qershor/ATSH/- Në vitin 2018, prodhimi i perimeve është 1.166.283 tonë, duke shënuar një rritje vjetore rreth 1,25%, krahasuar me vitin 2017.

INSTAT bën të ditur se niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarkun e Fierit me 418.921 tonë, Tiranë me 127.176 tonë dhe Berat me 118.687 tonë. Përsa i përket prodhimit të drithërave, niveli më i lartë u shënua në në qarkun e Fierit me 172.433 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 96.441 tonë dhe Korçë me 74.969 tonë.

Gjithashtu INSTAT raporton se në vitin 2018, edhe prodhimi i patates është rritur me 1,9% krahasuar me një vit më parë duke arritur në rreth 254.543 tonë. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit janë, Korça me 66.502 tonë, Fieri me 46.128 tonë dhe Elbasani me 27.650 tonë. Rritje me 3,93% krahasuar me 2017, kanë shënuar edhe perimet  prodhimi i të cilave arriti në 771.724 tonë.

Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 21,82% të prodhimit gjithsej të perimeve. Prodhimi i domates në serra në termat e prodhimit ndaj prodhimit gjithsej të perimeve në serra është 54,96% e pasuar nga trangulli dhe speci më respektivisht 27,95% dhe 8,79%.

Në vitin 2018 u prodhuan 117.573 tonë ullinj, duke pësuar një rritje 9,04%, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Beratit me 37.340 ton, pasuar nga qarqet Fier me 31.496 tonë dhe Vlorë me 15.023 tonë. Ndaj prodhimit total të ullirit, 79% përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21% nga ullinjtë për tavolinë.

Prodhimi i agrumeve në vitin 2018 është 45.499 tonë duke shënuar një rritje prej 10,88%, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve u arrit në qarkun e Vlorës me 31.354 tonë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.