Ismaili: Më 30 qershor i themi mjaft keqqeverisjes në bashkinë Mallakastër

TIRANË, 14 qershor /ATSH/- Kryministri Edi Rama prezantoi pasditen e së premtes, në Mallkastër kandidatin e Partisë Socialiste për kryetar të bashkisë Mallakastër, Qerim Ismaili.

Në takim e organizuar me këtë rast, ku qytetarë të bashkisë Mallakastër kishin mbushur sheshin e qytetit, kandidati Ismaili u shpreh besimplotë se, në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Mallakastra do të votojë për ndryshimin, për më shumë rrugë të rindërtuara, më shumë shkolla, ujësjellësa e zhvillim ekonomiko-social.

“Jemi mbledhur për t’i thënë ‘po’ zhvillimit dhe ‘ndal’ keqmenaxhimit me taksat e qytetarëve mallakastriotë nga drejtimi aktual i bashkisë Mallakastër. Jemi e vetmja bashki në vend që nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturën rrugore, në sistemin e ujësjellës kanalizimeve, në shkolla dhe resurse”, – tha Ismaili.

Ndërsa vuri në dukje se i vetmi investim i qenësishëm që ka bërë deri më sot kryebashkiaku aktual, janë zyrat e bashkisë Mallkastër dhe shpenzimi i miliarda lekëve për zyrat e luksit në këtë bashki dhe për pagat e administratës së kësaj bashkie.

“Ne sot i themi ‘mjaft’ modelit të përfitimit nga një grup njerëzish. Bashkia Mallkastër  është pronë e të gjithë qytetarëve dhe dita pas 30 qershorit, është sfida për atë çka duam të bëjmë për Mallakastrën, për qytetarët e saj, duke ndjekur modelin e qeverisë që ka ndryshuar faqen e vendit”, – theksoi Ismaili.

Ai tha se, në programin e 4 viteve që vijnë në bashkinë Mallkastrës do të kryejmë rehabilitimin e rrugës që lidhet me autostradën, do të ndërtojmë rrugët rurale, investime reale do të ndërmarrim në kanalizime, ndërsa do të krijojmë ndërmarrjen për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.

Ismali tha se pas 30 qershorit do të hapim një faqe të re për bashkinë Mallkastër, me administratë të kualifikuar dhe staf profesional, që do të punojë për të ardhmen e qytetarëve dhe fëmijëve, për punësimin e të rinjve dhe një zhvillim të ri kësaj bashkie që deri dje drejtohej nga PD. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.