Balilaj: Vijojmë programin e investimeve strategjike edhe në 4 vitet e ardhshme

TIRANË, 14 qershor /ATSH/- Programi i investimeve në infrastrukturën rurale, sistemin e ujësjellës kanalizimeve, sistemin arsimor, kulturor, si dhe zgjerimi i politikave sociale në mbështetje të qytetarëve në nevojë, janë sfidat e punës tonë në 4 vitet që vijnë.

Kështu u shpreh sot, Rajmona Balilaj, kandidate e Partisë Socialiste që rikandidon në postin e kryetares së bashkisë Patos, ku ndër të tjera theksoi se, “puna me njerëzit dhe për njerëzit është beteja për t’ju dhënë qytetarëve atë që meritojnë, atë që meritojnë në një vend të denjë, që ka hyrë në rrugën e zhvillimit”.

Në fjalën e mbajtur përpara qytetarëve të patosit që kishin mbushur sheshin qendror të këtij qyteti, Balilaj u shpreh besimplotë se Patosi në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, do të thellojë rezultatin për Partinë Socialiste, pasi kështu, siç u shpreh ajo, “vijojmë programin e investimeve strategjike edhe në 4 vitet e ardhshme, votojmë për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit”.

“Vota për Partinë Socialiste, është vota e çuarjes përpara të projekteve që kemi nisur në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, aq të domosdoshme për qytetarët e Patosit dhe fshatrave përreth, që kanë rritur aksesin në tregje dhe kanë intensifikuar jetën ekonomike, kulturore dhe sociale të Patosit”, – tha Balilaj.

“Të gjithë bashkë të votojmë për PS-në, të votojmë për “Shqipërinë që duam””, – theksoi kandidatja për kryetare në bashkinë e Patosit, Rajmona Balilaj. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.