Demo: Do rikthej besimin e qytetarëve tek bashkia e Beratit

TIRANË, 8 qershor /ATSH/- Ervin Demo, kandidati i Partisë Socialiste, për kryetar të bashkisë Berat, u shpreh se “do të bëjë realitet një program konkret zhvillimi për qytetin e Beratit, me investime në infrastrukturë dhe shërbime, që do të rikthejnë besimin e qytetarëve tek pushteti vendor dhe do të kthejnë qytetin në një destinacion të preferuar turistik”.

Në fjalën e mbajtur në takimin elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit, që u zhvillua të shtunën në qendër të qytetit të Beratit, Demo tha se, “në këto muaj kemi diskutuar bashkërisht me banorët e Beratit, për investime dhe projekte konkrete që ka nevojë qyteti i Beratit, i lënë tashmë prej 4 vitesh jashtë vëmendjes së qeverisjes nga pushteti lokal” .

Dema theksoi se, “në katër vitet e qeverisjes lokale, Berati nuk është atje ku duhet të ishte. Modeli i keqqeverisjes, i abuzimit me fondet publike, i nepotizmit me familjarë apo qokave politike ka sjellë mungesë të infrastrukturës bazike, pastrimit të qytetit dhe mungesë të shërbimeve për qytetarët e Beratit në këto vite”.

“Me Partinë Socialiste, rikthejmë besimin e qytetarëve tek qeverisja dhe do të zgjidhim çdo problem që ata kanë. Ne kemi ngritur grupe pune për ta kthyer bashkinë e Beratit në një bashki me ekonomi të fortë dhe t’i japim qytetit infrastrukturën dhe zhvillimin që meriton, ashtu siç ka ndodhur në bashkitë që drejtohen nga kandidatët socialistë”- theksoi Demo.

Berati, vijoi ai, është një qytet që nuk i takon vetëm Beratit, por i përket të gjithë shqiptarëve dhe mbi të gjitha trashëgimisë botërore për statusin që ka dhe pjesëmarrja juaj masive sot këtu tregon mesazhin e qartë që e refuzon këtë model të qeverisjes bashkiake në 4 vitet e fundit dhe i jepni besim Partisë Socialite në drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

“Në mandatin tim të parë për drejtimin e bashkisë Berat, do të punoj për zgjatjen e sezonit turistik që do të thotë më shumë të ardhura për qytetarët. Ne jemi për një fshat që prodhon më shumë, për integrimin e të rinjve në tregun e punës dhe zhvillimin e vendit dhe për ta kthyer Beratit në destinacion të turizmit dhe përdorimin e vlefshëm të aseteve e pasurive natyrore në të ardhura ekonomike” – tha Demo.

“Më 30 qershor ju do të votoni për të ardhmen e qytetit. Pjesë e projektit tim është edhe bypass-i i qytetit një ëndërr e qytetit prej dekadash. Në 30 qershor ne refuzojmë këtë model të qeverisjes lokale në Berat për t’i thonë po projektit “Bashkia që dua” dhe për Shqipërinë që duam”, tha ai. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.