Inovacioni në turizëm, zgjidhje konkrete për pasurimin e ofertës

TIRANË, 3 qershor /ATSH/-  Kërkesa dhe sjellja e turistëve është gjithmonë në ndryshim. Për të përballuar këto ndryshime, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nëpërmjet zbatimit të projektit InnoXenia synon të përmirësojë aftësitë për të përdorur produkte, procese dhe shërbime novatore me qëllim pasurimin e ofertave turistike natyrore dhe kulturore.

Në këtë kuadër, u organizua në Tiranë një forum diskutimi me të ftuar aktorët kryesorë në sektorin e turizmit. Me pjesëmarrës nga sektori publik dhe ai privat, forumi diskutoi rreth vështirësive kryesore që aktorët e sektorit të turizmit ndeshin dhe propozuan zgjidhje konkrete të cilat do të jenë pjesë e Axhendës Strategjike të Inovacionit në Turizëm që po hartohet.

InnoXenia, dedikuar tërësisht novacionit në Turizëm në rajonin Adriatiko-Jonian është një projekt që financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet fondeve IPA.

Fondi Shqiptari i Zhvillimit është institucioni përfaqësues për Shqipërinë në një projekt që përfshin Greqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.