Lehtësitë për zhvillimin e turizmit përmirësojnë klimën e punësimit

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ – Lehtësitë fiskale që ka ndërmarrë qeveria për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm po përmirësojnë ndjeshëm klimën e punësimit jo vetëm në zonat tipike bregdetare, por edhe në zonat kodrinore-malore, ku po zgjerohen modelet e agroturizmit.

Dimensionin në rritje që po merr angazhimi me punë në sektorin e turizmit, po e shfrytëzojnë edhe operatorët turistikë, të cilët po gjejnë mundësi për të diversifikuar produktet, me qëllim kalimin nga atraksionet tek përvoja, tradita dhe deri tek kulinaria.

Për këtë biznesi turistik po bashkëpunon me banorët lokalë për të sjellë paketa të reja turistike me dinamikë dhe shtrirje shumësektoriale që pëlqehen dhe tërheqin mjaft turistët dhe vizitorët jo vetëm vendas, por edhe të huaj.

Ndërtimi i rrugës që lidh Gjirokastrën me fshatin Tranoshisht, ka ndikuar në rritjen e fluksit të turistëve në këtë zonë. Rrënojat e qytetit antik të Antigonesë, përmirësimi i infrastrukturës dhe shndërrimi i shtëpive të zonës në bujtina mikpritëse për vizitorët e shumtë i kanë dhënë zonës emrin e një destinacioni të preferuar për turistët.

Banorët e zonës po përmirësojnë shërbimin ndaj turistëve dhe përveç ushqimeve ata u ofrojnë atyre edhe akomodime në dhoma të vogla për fjetje. Madje në pikun e sezonin turistik ata po shtojnë prodhimin edhe në produkte bujqësore apo të përpunuara, duke u servirur gatime tradicionale, të cilat janë mjaft të preferuara nga turistët e huaj.

Fluksi në rritje i turistëve ka zgjeruar edhe forcat e angazhuara në punë, si në drejtim të prodhimit bujqësor, blegtoral, shërbimit dhe i gjithë ky zinxhir biznesi reflektohet në më shumë të ardhura për familjet e këtyre zonave.

Duke e parë me optimizëm agroturizmin, si një burim me vlerë në sigurimin me punë dhe të ardhura, banorët e këtyre zonave po kërkojnë të shtojë investimet.

Ata po rrisin interesin të përfitojnë nga projektet e ndërmarra nga qeveria në fushën e turizmit, bujqësisë, infrastrukturës dhe kulturës, por dhe programet e mbështetjes financiare, siç është ajo e “100 fshatrave”, për të përmirësuar më tej dhe zgjeruar oazet turistike në çdo zonë të vendit, që me pak dëshirë dhe fantazi po e shndërrojnë çdo bukuri natyrore në atraksion të paketës turistike. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.