Shqipëria rast shembullor i transformimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë

TIRANË, 30 maj /ATSH-Gjergji Mima/ – Komisioni Europian në progresraportin e vitit 2018, ku ka rekomanduar hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë ka nënvizuar se, “Shqipëria është një rast shembullor i transformimit rrënjësor dhe madhor të sistemit të drejtësisë dhe rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Ministri në detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një komunikim publik ka deklaruar se “Raporti i KE veçon Shqipërinë nga gjithë rajoni për një shkak me vlerë të dyfishtë, nivelin e performancës kombëtare dhe cilësinë e monitorimit ndërkombëtar”.

“Duke nënvizuar numrin e konsiderueshëm të vendimeve për gjyqtarë dhe prokurorë në procesin e Vetingut. Dhe ju lutem të keni parasysh. Ky është një rast i paprecedentë në rajon. Raporti vlerëson lart faktin se gjithë kjo punë është kryer nën monitorimin e kujdesshëm të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Pra jo vetëm që ka një progres përmbajtësor të Reformës në Drejtësi, por në fakt ka dhe një vlerësim ndërkombëtar për mënyrën sesi është kryer Reforma në Drejtësi”, – është shprehur Cakaj.

Duke cituar raportin e KE, Cakaj thekson se “Përveç reformimit të sistemit të drejtësisë dhe rritjes së besueshmërisë së tij në formë lineare, për shkak të pastrimit të tij sistematik, Shqipëria ka ngritur po ashtu edhe institucionet e reja gjyqësore, që krijojnë premisat afatgjata për një gjyqësor llogaridhënës dhe transparent”.

Raporti po ashtu, shton Cakaj, “konfirmon përpjekjen e fuqishme të qeverisë shqiptare për të çrrënjosur dhe luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Komisioni thekon se Shqipëria ka dëshmuar një përkushtim të fuqishëm në luftën kundër prodhimit, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Pra ky formulim dëshmon qartazi se qeveria, jo vetëm nuk është e përfshirë sistematikisht në këtë çështje por realisht ka vepruar me forcë kundër saj. Dhe ky është një konstatim i KE, jo i qeverisë”.

“Komisioni po ashtu konstaton se Shqipëria ka rritur bashkëpunimin me vendet anëtare për të adresuar fenomenet në fjalë. Edhe për më tepër Komisioni konstaton se ka ndodhur arrestimi i udhëheqësve kryesore dhe procedimi penal i liderëve të krimit të organizuar në Shqipëri”, – nënvizoi Cakaj.

Për më shumë, theksoi Cakaj, “Komisioni thekson se, përkundër faktit se vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë në negocim e sipër të marrëveshjeve për bashkëpunim ndërkufitar me BE, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që tashmë ka konkretizuar dhe operacionalizuar një marrëveshje të tillë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.