Rekomandimi për hapjen e negociatave, Shalsi: Lajm fantastik për Shqipërinë

TIRANË, 29 maj /ATSH/- “Lajm fantastik për Shqipërinë”, e cilëson ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, Raportin e Komisionit Europian, i cili i rekomandon Këshillit të Europës hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ndërsa thekson se Raporti i Komisionit Europian i njeh dhe vlerëson përmbushjen e të gjitha detyrave që kishte marrë përsipër Shqipëria, ministri Shalsi shprehet se ky fakt na inkurajon për të bërë akoma dhe më shumë.

“Mirënjohës Komisionit Europian për raportin në të cilin rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë duke njohur dhe vlerësuar në këtë mënyrë përmbushjen e të gjitha detyrave që kishim marrë përsipër”, citon Shalsi.

Komisioni Europian publikoi të mërkurën progresraportin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë, specifikisht në fushën e ekonomisë, Komisioni Europian cilëson se qeveria shqiptare ka bërë progres në uljen e borxhit publik, i cili ka vazhduar uljen e tij me ritme më të shpejta seç ishte planifikuar për shkak të vlerësimit të monedhës shqiptare dhe kursimet në buxhet.

Progresraporti vlerëson gjithashtu rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto me ritme të kënaqshme, nga 2,2% në 2010-ën në 4,1% në tremujorin e parë të 2018-ës. Këtë rritje raporti ia atribuon rritjes së konsumit privat, normave të ulta të inflacionit dhe rritjes së numrit të të punësuarve.

Në lidhje me deficitin tregtar, Komisioni Europian vlerëson se ai është në tkurrje e sipër. Kjo tkurrje ndihmohet nga remitancat, eksportet në mallra dhe shërbime, duke vlerësuar turizmin si komponentin kryesor.

Ndërsa inflacioni, citon progresraporti, synon arritjen e objektivit të Bankës Qendrore. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.