Saranda destinacioni i preferuar i turistëve të huaj, 42 kroçera rezervime për 2019

TIRANË, 25 mars /ATSH/ – Nga viti në vit vihet re një rritje e numrit të turistëve të huaj që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri.

Tregues për këtë fakt janë dhe rezervimet që kanë bërë kroçerat në portin e Sarandës, ku për vitin 2019 ky port është rezervuar nga 42 të tilla, duke pasur një impakt mjaft pozitiv në ekonominë e vendit.

Lajmi u bë i ditur për ATSH-në nga drejtoresha e portit të Sarandës, Kozeta Statha.

“Për vitin 2019 porti i Sarandës është rezervuar nga 42 kroçera, që do të prekin qytetin tonë dhe do të vizitojnë pikat turistike të tij”, – tha Statha.

Sipas saj, kapiteneria e portit dhe autoritetet e tjera që operojnë në të ofrojnë mbështetje maksimale për pushuesit.

“Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët pritet të kenë një fluks të shtuar gjatë pikut të sezonit turistik”, – theksoi Statha.

Qyteti i Sarandës njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.