TIRANË, 18 maj /ATSH/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi ditën e djeshme kandidaturën e Dhionisios Alfred Petro Beleri për të garuar si kandidat i pavarur për kryetar të bashkisë Himarë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit, pasi rezultoi të ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Beleri ishte regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për bashkinë e Himarës, por pas verifikimeve të kryera, rezulton të jetë i dënuar me burg, por edhe pse dënimi është i hershëm, penalizimi ndaj tij erdhi pasi Beleri nuk ka përfunduar periudhën e ndalimit ose rehabilitimit.
Fredi Beleri ka qenë dënuar me 3 vite nga gjykata e Vlorës për nxitje të urrejtjes rreth 10 vite më parë dhe e kap ligji i dekriminalizimit. Periudha e rehabilitimit, që është e përcaktuar 10 vite, i përfundon një muaj pas zgjedhjeve lokale.
Zgjedhjet janë në qershor dhe Beleri është brenda periudhës së ndalimit, të cilën e përfundon në fund të korrikut.
KQZ mori këtë vendim pasi mori në shqyrtim verifikimin e deklarimeve në formularin e kandidatit të pavarur për bashkinë e Himarës në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
KQZ vendosi të refuzojë kandidaturën e tij. /e.xh/r.e/