SHBA – Vdes Ieoh Ming Pei, arkitekti i piramidës së Luvrit

NJU JORK, 17 maj /ATSH-AFP/ – Arkitekti kino-amerikan, Ieoh Ming Pei, projektuesi i shumë veprave të famshme, nga piramida e Luvrit deri te Banka e Kinës në Hong Kong, vdiq në moshën 102-vjeçare, bëri të ditur një ditë më parë studioja arkitekturore njujorkeze e djemve të tij ‘’Pei Partnership Architects’’.

Studioja raportoi se arkitekti i famshëm vdiq në Nju Jork.

‘’New York Times’’, duke cituar djalin e tij Chien Chung Pei, specifikoi se ai ndërroi jetë të enjten në mëngjes.

Fitues i çmimit ”Pritzker” në 1983, i cilësuar si Nobeli i arkitekturës, Ieoh Ming Pei shpalosi një idetë të qartë të modernizmit dhe klasicizmit në projektet e tij të guximshme, si ai i ristrukturimit të muzeut të madh parizian.

‘’Arkitektët bashkëkohorë kanë prirje për të imponuar frymën e modernizmit te veprat. Ka pak nostalgji për historinë, por kjo ndjesi nuk është shumë e thellë’’, kishte pohuar ai në një intervistë dhënë ‘’New York Times’’ në 2008./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.