Fotografitë e familjes Quaroni në COD, imazhe befasuese nga Shqipëria e viteve 1928-1931

TIRANË, 17 maj/ATSH/- Ngjarje, njerëz, jeta e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë në vitet 1928-1931, të vëzhguara dhe të përjetuara nga fotografët italianë Pietro dhe Larissa Quaroni janë pasqyruar në mbi 780 fotografi të dixhitalizuara të prezantuara sot për herë të parë në Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD.

Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni, Cristina Quaroni, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, figura të njohura të artit dhe kulturës, artdashës, etj.

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, tha se në qendër të kësaj ekspozite përveç Shiqipërisë, Tiranës dhe viteve ’30 kemi tre breza të familjes Quaroni.

“Pa brezin e parë të familjes Pietro dhe Larisës nuk do ti kishim këto foto që po shohim, pa brezin e tretë të Cristinës dhe bashkëshortit të saj nuk do të kishim këtë ekspozitë, nëse Ambasada spanjolle nuk do ta kishte emëruar Vincenten ambasador në Tiranë, Cristina nuk do të kishte sjellë me vete këtë album të familjes”, theksoi ai.

“Por edhe kontributin që brezi i ndërmjetëm i ka dhënë kësaj ekspozite, e kam fjalën për ambasadorin Alessandro Quaroni dhe zonjën Monika, bashkëshorten, që kanë ruajtur me shumë dashuri këtë arkiv të pasur familjar, nga të cilat këto foto janë një pjesë e vogël e arkivit”, – nënvizoi Cutillo.

Ambasadori u shpreh se “të gjithë ata si unë dhe ju që kemi lexuar librin e çmuar me kujtime të Pietro Quaroni i përkthyer në shumë gjuhë, përfshirë edhe shqipen, ndërkohë që Larisa shkrepte këto fotografi, Pietro merrte shënime po aq ndriçuese, të rëndësishme gjatë misionit të tij diplomatik, të cilat i shndërruan dhe i botuan në këtë libër. Fotografi dhe shënime që kishin të përbashkëta aftësinë që kishin ata për të përshkruar njerëzit dhe situatat historike”.

Cristina Quaroni, theksoi se kjo ekspozitë lindi si një projekt i vogël dhe “pak pas mbërritjes sonë u shndërrua në një ekspozitë të vërtetë fotografike që përshkruan një periudhë historike që është e pasur me ndryshime”.

“Bëra me të mirën për ta ngritur këtë falë gjyshërve të mi. Shpresoj që ekspozita të jetë jo vetëm një kthim i këtyre fotografive në Shqipëri, por të jetë edhe një mënyrë për ta njohur më mirë të kaluarën”, – shtoi ajo.

Quaroni shprehu vleresimin për Edvin Çelon, që realizoi dixhitalizimin e fotografive dhe gjithë skuadrës që kanë bërë një punë të mrekullueshme.

“Kanë kaluar 90 vjet kur në dhjetor të 1928 Pietro dhe Larisa arritën në Shqipëri dhe qëndruan deri në tetor të ’31. Fotografitë u gjetën në një vend të ruajtura dhe para nisjes sonë në Romë, edhe pse nuk e dinim ende se ku do të shkonim pamë fotot e gjyshit bashkë me vajzën time. Aty pamë tre albume me etiketën Shqipëria. Mua më pëlqen të mendoj se ishin gjyshërit që na udhëhoqën të bëjmë këtë zbulim. Pak më vonë na erdhi edhe emërimi për në Ambasadën në Tiranë me entuziazmin e miqve tanë na bënë të kuptojmë se ajo që për ne ishte një kujtim i familjes për Shqipërinë ishte thesar me interes të madh”, – nënvizoi Quaroni.

Tek ne, vijoi ajo, Shqipëria do të lërë një kujtim të pashlyeshëm falë edhe njerëzve të mrekullueshëm që kemi njohur.

“Familja Quaroni ka sot nderin t’i kthejë popullit shqiptar kujtesën fotografike të viteve që ata kanë kaluar në Shqipëri, me shpresën që arkivi i tyre fotografik tashmë i dixhitalizuar të jetë një pikë ku mund të merret shkas për njohjen e asaj periudhe historike që është harruar nga shumë veta”, – tha ajo.

Quaroni i dhuroi COD dhe Kryeministrisë të gjithë arkivin e dixhitalizuar të familjes Quaroni për tu përdorur nga të gjithë studiuesit, të rinjtë, të gjithë ata që do të vijnë këtu dhe të shohin këtë album fotografik dhe provat që ai sjell për ti parë në mënyrë kronologjike.

Fotografitë janë realizuar nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën italiane në Shqipëri. Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij arkivi familja Quaroni i ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë dixhitale, të gjithë arkivën e familjes së saj, me 780 fotografi.

Të gjitha fotot e dixhitalizuara, mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë. Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, Albania 1928–1931 të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj.

Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social: imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ’20 dhe ’30.

Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, vjen në Shqipëri si bashkëshortja e Ambasadorit të Spanjës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në COD deri më 29 qershor 2019./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.