FOTO/ Konferenca “Fytyra e ‘Armikut të Popullit , Margariti: Mundësi që historia të mos përsëritet

TIRANË, 17 maj /ATSH/ – Në Muzeun Historik Kombëtar u zhvillua sot Konferenca Ndërkombëtare Shkencore: “Fytyra e ‘Armikut të Popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri 1944-1990”.

Në konferencë u trajtuan disa tematika kryesore si evolucioni i konceptit Armik i Popullit gjatë viteve të diktaturës së proletariatit, lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptimin e saj përgjatë regjimit, Sigurimi i Shtetit si instrument përndjekjeje dhe profile të ndryshme të “Armikut të Popullit”.

“Me apo pa vetëdije, njeriu përpiqet që kujtimet e errëta t’i depozitojë në zona edhe më të errëta të subkoshiencës së vet, të mos flasë më për to dhe në tentativë për të ecur përpara, mbetet i ngecur pikërisht aty, tek e shkuara. Prandaj, sado të na dhembë, ne nuk duhet të heqim dorë nga kujtimet e së shkuarës sonë”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti në fjalën e saj në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore: “Fytyra e ‘Armikut të Popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri 1944-1990″.

Ajo shtoi se, ” kjo konferencë është për të thelluar edhe më tepër jo vetëm njohjen historike, shoqërore, por njëkohësisht për t’i dhënë vetes mundësinë për të folur, për të mësuar dhe për t’u ndërgjegjësuar mbi burimet e së keqes, në mënyrë që historia të mos përsëritet”.

“Këtë vullnet, këtë njohuri të tonën, ne duhet t’ua përcjellim më së shumti brezave të rinj, që ata jo vetëm të njohin të shkuarën e prindërve të tyre, por edhe që të mos ecin në rrugën e gabuar”, përfundoi ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Kjo konferencë u organizua nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Muzeu Historik Kombëtar, Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe nga Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë . /a.a/ /a.g/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.