Zgjedhjet nuk shtyhen, nuk do lejojmë standardin që përpiqet të imponojë opozita

TIRANË, 16 maj/ATSH-A. Fortuzi/- Kryeministri Edi Rama tha se zgjedhjet lokale do të mbahen në 30 qershor, pasi kjo është data e dekretuar e zgjedhjeve bazuar në Kushtetutë. I ftuar në “Opinion”, Rama tha se data e zgjedhjeve është vendosur nga Presidenti dhe jo nga mazhoranca.

“Nuk e kam vendosur unë, unë nuk di që qeveria të ketë marrë ndonjë iniciativë ligjore që pengon opozitën të hyjë në zgjedhje”, – theksoi Rama.

“Se opozita ka një pikëpamje për përgjimet, për unazën, është në të drejtën e vet. Por opozita dhe qeveria nuk mundet dot që këndvështrimin e vet ta kthejë në një imponim. Ik ti, ose s’ka zgjedhje, kjo nuk mund të ndodhë”, – tha Rama.

“Nëse qeveria apo shumica ka marrë ndonjë iniciativë për të penguar opozitën të hyjnë në zgjedhje, hajde ta diskutojmë. Këto zgjedhje janë të lira për të gjithë, kush do futet, kush do nuk futet. Zgjedhjet janë një ankand që e bën populli dhe pret ofertat politike. Ne kemi detyrë që në 30 qershor kur është caktuar data e ankandit të jemi atje. Dikush tjetër që s’ka ofertë politike dhe nuk shkon dot në ankand se humbet, ka zgjedhur që të mos shkojë fare dhe të prishet ankandi. Çfarë fuqie, bazuar në cilën normë kushtetuese unë mund të ndërhyj që ankandi të shtyhet?” – theksoi Kryeministri.

Duke folur për rastet e mëparshme të shtyrjes së datës së zgjedhjeve, Kryeministri solli në vëmendje që këtë herë ka pasur dy data të mundshme.

“Presidenti zgjodhi 30 qershorin, jo 23 qershorin, dhe nuk ka asnjë ditë më andej. Prandaj, ne o do bëjmë shtet këtu, ose ne s’do bëhemi kurrë. O do kuptojmë që këtu ka disa rregulla dhe ndryshe thyen hundën, ose ndryshe nuk bëhemi kurrë. Kushtetuta nuk është e imja, është e qytetarëve. Nëse ne do e zgjidhnim kështu, s’do merremi vesh kurrë. Ja u morëm vesh e shtymë në tetor, pastaj vjen tetori them unë hajde e shtyjmë në dimër… Nuk bëhet kështu, këto diskutime s’bëhen kështu”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.