Zgjedhjet e 30 qershorit, OSBE shpall thirrjen për vëzhgues

TIRANË, 16 maj /ATSH/ – Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka shpallur thirrjen për vëzhgues në zgjedhjet lokale të Shqipërisë që do të mbahen më 30 qershor.

“Mbeten vetëm pak ditë për të aplikuar për vende pune programore dhe rajonale në Misionin e OSBE/ODIHR-it, që po përgatitet të vëzhgojë zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri”, thekson OSBE në njoftimin e saj.

Kjo zyrë është agjencia udhëheqëse në Europë në fushën e vëzhgimit të zgjedhjeve.

ODIHR koordinon dhe organizon vendosjen e misioneve të shumta vëzhguese me mijëra vëzhgues çdo vit për të vlerësuar përputhjen e zgjedhjeve në shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike dhe legjislacionin kombëtar.

Metodologjia unike e ODIHR-it ofron njohuri të thella në të gjitha elementet e një procesi zgjedhor, duke lejuar Zyrën të ofrojë rekomandime konkrete për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore.

Pas një ftese zyrtare për të vëzhguar zgjedhjet lokale të planifikuara për 30 qershor 2019, ODIHR po përgatitet të vendosë një Mision Vëzhgues Zgjedhor për këto zgjedhje. Në këtë drejtim, ODIHR-i po kërkon të rekrutojë staf mbështetës lokal për pozicionet e përmendura me orar të plotë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.